“Këto sanksione janë koordinuar ngushtësisht me aleatët dhe partnerët tanë dhe ne do të vazhdojmë t’i përshkallëzojmë nëse Rusia përshkallëzon situatën”, ka deklaruar shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden
Derisa presidenti Vladimir Putin ka dhënë urdhrin për nisjen e trupave ruse në drejtim të dy rajoneve separatiste në Ukrainën lindore, homologu i tij amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur rundin e ri të sanksioneve kundër Rusisë.
“Këto sanksione janë koordinuar ngushtësisht me aleatët dhe partnerët tanë, dhe ne do të vazhdojmë t’i përshkallëzojmë nëse Rusia përshkallëzon” situatën, ka deklaruar shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Në mesin e tyre, përfshihen edhe sanksionet e plota “kundër dy institucioneve financiare më të mëdha ruse, VEB dhe banka financiare ushtarake. Ne po zbatojmë sanksione gjithëpërfshirëse ndaj borxhit sovran të Rusisë. Kjo nënkupton se Qeverisë së Rusisë i janë ndërprerë financimin perëndimor”, ka deklaruar Biden, duke njoftuar se Kremlini më nuk do të mund të fitojë para nga tregu evropian.
“Ne do të zbatojmë sanksione edhe ndaj elitave të Rusisë, dhe të familjarëve të tyre. Ata fitojnë prej korrupsionit të politikave të Kremlinit dhe ata duhet të vuajnë gjithashtu”, ka theksuar Bideni, duke shtuar se ka punuar me Gjermaninë që të sigurohet se projekti i gazsjellësit të Gjermanisë, “Nord Stream 2” nuk do të shkojë deri në fund.
Ndikimi në ngritjen e çmimeve
Bideni ka thënë se nëse Rusia “vazhdon agresionin e saj”, do të ketë sanksione shtesë.
Ai është zotuar se administrata e tij do të përdorë “çdo mjet në dispozicion” për ta kufizuar efektin e sanksioneve kundër Rusisë në çmimet e brendshme të gazit, duke pranuar se amerikanët do të shohin ngritje të çmimeve në muajt e ardhshëm.
“Siç kam thënë javën e kaluar, duke mbrojtur lirinë do të ketë kosto, por edhe për ne në vend”, ka thënë Bideni. “Ne duhet të jemi të ndershëm në këtë pikë. Por derisa e bëjmë këtë, do të marrim aksione të vendosura që të sigurohemi se dhimbja e sanksioneve tona të shënjestrojnë ekonominë ruse, jo tonat”.
Bideni ka thënë se administrata amerikane po monitoron nga afër furnizimet me energjinë në rast të kaosit.
“JPMorgan” ka paralajmëruar se barela e naftës së parafinuar të naftës do të shkojë deri në 120 deri në 150 dollarë nga 100 dollarë sa është tani, nëse do të ketë kaos në eksportet ruse.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe thonë se Rusia tashmë ka dhënë urdhrin për fillimin e pushtimit të Ukrainës.
Ende nuk është e qartë nëse trupat ruse kanë hyrë në rajonet separatiste, Donjeck dhe Luhansk, të cilave presidenti Vladimir Putin ua njohu pavarësinë një ditë më parë.
Putini i ha fjalët
Lideri rus ka thënë se demilitarizimi i Ukrainës është zgjidhja e vetme. Ai ka thënë gjithashtu se më nuk ekziston Marrëveshja e Minskut, e cila ia njihte ish-Republikës sovjetike sovranitetin.
Shtetet evropiane kanë nisur zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë pas përshkallëzimit të krizës.
Gjermania ka vendosur të mos e certifikojë tubacionin e gazit nga Rusia, të njohur si “Nord Stream 2”.
Rusia thotë se trupat e saj do të kenë “funksione paqësore”, por që SHBA-ja e ka cilësuar deklaratën si të pakuptimtë.
Në një fjalim të zjarrtë televiziv të hënën mbrëma, Putini pretendoi se Ukraina nuk e ka historinë e shtetit të vërtetë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka thënë se ka javë që Rusia është munduar të marrë shkas me operacione të rreme për të nisur pushtimin e Ukrainës.
Moska tërheq stafin diplomatik nga Kievi
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se beson se Rusia po planifikon pushtim të përmasave masive në Ukrainë, pas njohjes së dy rajoneve separatiste në ish-Republikën sovjetike.
NATO-ja ka bërë të ditur se ka aktivizuar më shumë se 100 aeroplanë luftarakë dhe 120 luftanije. Aleanca ushtarake thotë se pushtimi rus mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë evropiane. Stoltenbergu i ka konsideruar aksionet e fundit politike dhe ushtarake të Rusisë si shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.
NATO-ja ka dënuar edhe vendimin e Moskës për të njohur pavarësinë e rajoneve separatiste në Ukrainë.
Rusia është duke e tërhequr stafin diplomatik nga Ukraina. Këtë e ka konfirmuar të martën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, raporton CNN.
Ajo ka thënë se këtë po e bën për të mbrojtur jetët e tyre dhe për sigurinë e tyre.
“Në situatën aktuale, prioritet yni është të kujdesemi për diplomatët rusë dhe punonjësit në Ambasadë dhe Konsullatën e Përgjithshme. Për të mbrojtur jetët e tyre dhe për sigurinë e tyre, lidershipi rus ka vendosur të evakuojë personelin e misionit të jashtëm rusë në Ukrainë, një masë që do të implementohet në një të ardhme shumë të afërt”, thuhet nga Ministria e Jashtme e Rusisë.
Deklaratat e rreme të Putinit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar ndërhyrjen ushtarake në dy rajonet separatiste në Ukrainën lindore, pasi i ka njohur të dyja si shtete të pavarura. Në një adresim të gjatë televiziv nga Kremlini, Putini u përpoq të justifikonte veprimet e tij duke dhënë një seri deklaratash për Ukrainën.
“E ashtuquajtura botë e civilizuar... preferon ta injorojë atë sikur të mos kishte asgjë nga ky tmerr, gjenocid që po i nënshtrohen pothuajse katër milionë njerëz”, deklaroi ai.
Putini po fliste për rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, duke thënë se qytetarët rusë po i nënshtrohen “gjenocidit” – term që e kishte përdorur edhe më herët.
Megjithatë, s’ka asnjë dëshmi se ka pasur gjenocid në këtë zonë. Dhe deklaratat e Putinit u quajtën qesharake nga kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Ka pasur tashmë deklarata se Ukraina do të krijojë armët e veta bërthamore... Ukraina sigurisht që i ka teknologjitë sovjetike bërthamore dhe mjetet për të ofruar armë të tilla”, deklaroi ai.
Ukraina – që kishte arsenalin e tretë më të madh bërthamor në botë gjatë Luftës së Ftohtë – u tërhoq nga armët bërthamore në vitet e 90-a, për shkak të garancive të sigurisë nga SHBA-ja, Britania dhe Rusia.
“Korrupsioni, i cili, pa dyshim, është sfidë dhe problem për shumë vende, përfshirë Rusinë, ka marrë karakter të veçantë në Ukrainë”, theksoi Putini.
Rusia është shteti evropian i rankuar më së keqi në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2021 – në vendin e 136 nga 180 shtete, përderisa Ukraina ishte e 122-a.
OKB-ja përgatitet për krizë humanitare
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve në rast të sulmit të përmasave masive në Ukrainë pas njohjes së dy rajoneve separatiste nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Agjencia e OKB-së për refugjatë, UNHCR, ka kërkuar që të mos shkatërrohet infrastruktura që do të vështirësonte ofrimin e ndihmës për qytetarët e pafajshëm në rajonet në konflikt. Organizatat e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur gjithashtu se janë në gjendje gatishmërie për të ofruar ndihma për të gjithë qytetarët e rajoneve lindore të Ukrainës pas përshkallëzimit të situatës.
Ndërkohë, në një xhirim shihet se është kryer një sulm në një termocentral në rajonin e Luhanskut, por askush nuk e ka marrë përgjegjësinë. Është raportuar edhe për granatime.