Presidenti amerikan, Joe Biden ka dënuar rritjen e antisemitizmit në Amerikë dhe në mbarë botën, dhe paralajmëroi se shumë njerëz “po harrojnë” tmerret e Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar.
Në një fjalim në kujtim të viktimave të Holokaustit të martën, Bideni ka thënë se njerëzit po harrojnë se Hamasi e nisi terrorin, raportoi AP.
"Kjo urrejtje vazhdon të qëndrojë thellë në zemrat e shumë njerëzve në botë. Jo 75 vjet më vonë, por vetëm shtatë muaj e gjysmë më vonë. Dhe njerëzit tashmë po harrojnë se Hamasi e lëshoi këtë terror. Unë nuk kam harruar, as ju. Dhe ne nuk do të harrojmë”, ka deklaruar Bideni.
Vërejtjet e Bidenit nga fjalimi i tij në Kapitol u bënë në kohën kur po zhvillohen protesta pro-palestineze, disa prej të cilave kanë përfshirë thirrje antisemitike dhe kërcënime ndaj studentëve hebrenj dhe mbështetësve të Izraelit.
Kjo vjen ndërsa presidenti demokrat ka luftuar për të balancuar mbështetjen e tij për Izraelin pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit – dita më vdekjeprurëse për hebrenjtë në mbarë botën që nga Holokausti, me përpjekjet e tij për të mbrojtur jetën e civilëve në Gaza.
Biden, marrëdhënia e të cilit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu është tensionuar për shkak të shtytjes së qeverisë së tij për të pushtuar qytetin jugor të Gazës, Rafah, ka thënë se mbështetja amerikane për Izraelin është "e hekurt...edhe kur ne nuk pajtohemi".