Botë

Bideni e pret Macronin në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, javën e ardhshme do ta presë presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Reuters.

Kjo do të jetë një vizitë e rrallë shtetërore që synon të nxjerrë në pah miqësinë franko-amerikane dhe jo konkurrencën e ashpër ekonomike midis dy vendeve.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Francës patën një thyerje, kur Australia anuloi marrëveshjen e blerjes së nëndetëseve franceze pas një marrëveshje sigurie që lidhi me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Por si SHBA-ja, ashtu edhe Franca, pritet të tregojnë unitet përballë kërcënimeve nga Rusia dhe Kina.

Por problemi më i madh në do të jetë Akti i Reduktimit të Inflacionit në SHBA (IRA), sipas Reuters.

Evropianët deklarojnë se një paketë e madhe subvencionesh për prodhuesit amerikanë mund t'i japë një goditje fatale industrisë së tyre, e cila tashmë është e kërcënuar nga çmimet e larta të energjisë të shkaktuara nga sulmi rus në Ukrainë.

Macroni do të përpiqet të bindë SHBA-në se është në interesin e tyre të mos dobësojnë kompanitë evropiane në një kohë kur aleatët perëndimorë përballen me konkurrencë të fortë ekonomike nga Kina, e cila sipas tyre po përdor fuqinë e saj ekonomike si levë diplomatike.

Udhëheqësi francez do të përpiqet të negociojë përjashtimet për kompanitë evropiane në përputhje me të dhënat nga Meksika dhe Kanadaja, ka thënë një këshilltar i presidentit francez.

Prodhuesit gjermanë të automjeteve, për të cilët SHBA-ja është një treg i madh eksporti, janë ndër viktimat më të mëdha të paketës IRA që subvencionon veturat elektrike të prodhuara në SHBA.

Prodhuesit francezë të veturave nuk eksportojnë në SHBA, por Franca ka prodhues të mëdhenj të pjesëve të automjeteve që do të preken.

Shtëpia e Bardhë do të diskutojë gjithashtu çështjet e energjisë dhe Franca shpreson të rrisë bashkëpunimin në fushën e energjisë bërthamore. Macroni dëshiron që Franca të ndërtojë më shumë reaktorë bërthamorë, por po lufton me problemet e korrozionit në termocentralet e saj të vjetra.