Botë

Takimi i Bidenit dhe Macronit për dallimet e mëdha për klimën

Duke folur pas fjalimeve të tij të përgatitura dhe pa praninë e kamerave, Macroni kritikoi Aktin e Reduktimit të Inflacionit, duke i quajtur subvencionet të dëmshme për kompanitë franceze dhe ato evropiane.

Presidentët Joe Biden dhe Emmanuel Macron po festojnë marrëdhënien e gjatë SHBA-Francë - por janë miq me dallime. Presidenti francez ka përdorur vizitën e tij në Washington për ta kritikuar ashpër Ligjin e nënshkruar nga Bideni në lidhje me klimën, i cila sipas presidentit francez është marrëveshje e keqe për Evropën.

Bideni ka nderuar Macronin me darkën e parë shtetërore të presidencës së tij të enjten në mbrëmje. Së pari, të dy udhëheqësit janë ulur në Zyrën Ovale për bisedime në mëngjes, që zyrtarët nga të dyja palët thanë se janë përqendruar kryesisht në përpjekjet e liderëve për të qëndruar të bashkuar në përgjigjen e tyre ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për të koordinuar qasjen e tyre ndaj një Kine të sigurt.

Por përpara takimit të së enjtes, Macroni e bëri të qartë se ai dhe liderët e tjerë evropianë mbeten thellësisht të shqetësuar për stimujt në një ligj të ri gjithëpërfshirës lidhur me klimën që favorizon teknologjinë klimatike të prodhuar nga Amerika, duke përfshirë automjetet elektrike.

Macroni kritikoi të mërkurën legjislacionin, i njohur si Akti i Reduktimit të Inflacionit, gjatë një dreke me ligjvënësit amerikanë dhe përsëri gjatë një fjalimi në Ambasadën franceze. Presidenti francez tha se ndërsa përpjekjet e administratës Biden për të frenuar ndryshimet klimatike duhen duartrokitur, subvencionet do të ishin një pengesë e madhe për kompanitë evropiane.

“Zgjedhjet që janë bërë… janë zgjedhje që do të copëtojnë Perëndimin”, tha Macroni në ambasadën franceze. Ai shtoi se legjislacioni “krijon dallime të tilla midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës, saqë të gjithë ata që punojnë në shumë kompani (në SHBA), thjesht do të mendojnë, 'Ne nuk bëjmë më investime në anën tjetër të Atlantiku”.

Më vete, në drekën me anëtarët e Kongresit nga të dyja partitë, së bashku me udhëheqës biznesi dhe diplomatë, Macroni tha se kombet e mëdha industriale duhet të bëjnë më shumë për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për ta promovuar biodiversitetin.

Image
Macroni e bëri të qartë se ai dhe liderët e tjerë evropianë mbeten thellësisht të shqetësuar për stimujt në një ligj të ri gjithëpërfshirës lidhur me klimën që favorizon teknologjinë klimatike të prodhuar nga Amerika, duke përfshirë automjetet elektrike.

Marrëveshja e klimës

Ai kritikoi një marrëveshje të arritur në samitin e fundit të klimës në Egjipt, në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të pasura ranë dakord të ndihmojnë për të paguar për dëmin që një botë e mbinxehur po u shkakton vendeve të varfra. Marrëveshja përfshin pak detaje se si do të paguhet dhe Macroni tha se nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse – “jo vetëm një fond i ri që vendosëm që nuk do të financohet dhe edhe nëse financohet, nuk do të ndahet siç duhet″.

Duke folur pas fjalimeve të tij të përgatitura dhe pa praninë e kamerave, Macroni kritikoi Aktin e Reduktimit të Inflacionit, duke i quajtur subvencionet të dëmshme për kompanitë franceze dhe të tjerët në Evropë, sipas një personi në takimin me dyer të mbyllura. Personi kërkoi anonimitetin për të diskutuar komentet private nga Macroni.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin se kreditë tatimore në Ligjin për klimën, përfshirë ato që synojnë inkurajimin e amerikanëve për të blerë automjete elektrike, do të diskriminojnë prodhuesit evropianë dhe do të thyejnë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, përsëriti të mërkurën se ai beson se pjesë të Ligjit nuk janë në përputhje me OBT-në.

"Unë besoj se kjo pikëpamje ndahet kryesisht nga ato vende që janë të përkushtuara ndaj një rendi tregtar shumëpalësh", u tha ai gazetarëve në Berlin. “Amerikanët e dinë që ne e shohim kështu dhe Komisioni Evropian do t'ua ketë thënë edhe atyre këtë”.

Macroni kishte planifikuar t’ua theksonte çështjen e tij zyrtarëve amerikanë kundër subvencioneve, duke nënvizuar se është thelbësore që "Evropa, si SHBA-ja, të dalë më e fortë ... jo më e dobët", ndërsa bota del nga trazirat e pandemisë dhe pushtimi i Rusisë në Ukraina, sipas një zyrtari të lartë të Qeverisë franceze, i cili informoi gazetarët në kushtet e anonimitetit për të treguar paraprakisht bisedimet private.

Image
Macroni është pritur nga Harris për drekë në Departamentin e Shtetit para darkës shtetërore të mbrëmjes për rreth 350 të ftuar, një gala që është zhvilluar në një pjesë të Shtëpisë së Bardhë

Kundërshtimet amerikane

Zyrtarët e administratës së Bidenit kanë kundërshtuar se legjislacioni i ndihmon SHBA-së për t’i përmbushur qëllimet globale për t’i frenuar ndryshimet klimatike. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, deklaroi të mërkurën se legjislacioni do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për kompanitë franceze dhe të tjerët në Evropë.

"Ka një sërë dispozitash që do të kontribuojnë në rritjen e sektorit të energjisë së pastër globalisht", u tha Jean-Pierre gazetarëve. “Ajo paraqet mundësi të rëndësishme për firmat evropiane, si dhe përfitime për sigurinë energjetike të BE-së. Dhe kjo nuk është një lojë me shumë zero për ne”.

Komentet e fundit të prera të Macronit vijnë pasi ai ngriti vetullat në fillim të këtij muaji në një fjalim në një samit në Bangkok. Ai iu referua SHBA-së dhe Kinës si "dy elefantë të mëdhenj" që janë maja e krijimit të "një problemi të madh për pjesën tjetër të xhunglës". Vizita e tij vjen gjithashtu pasi Washingtoni dhe Parisi po mbajnë një sy në Kinë, pasi protestat shpërthyen fundjavën e kaluar në disa qytete kontinentale dhe Hong Kong mbi strategjinë "zero COVID" të Pekinit.

“Çështja e Kinës do të jetë shumë lart në agjendë për dy ditët e ardhshme”, u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Takimi me zëvendëpresidenten

Macroni të mërkurën u takua me zëvendëspresidenten Kamala Harris në selinë e NASA-s në Washington, ndërsa të dyja palët kërkonin të theksonin bashkëpunimin SHBA-Francë në hapësirë. Në qershor, Franca nënshkroi Marrëveshjen Artemis, një grup parimesh të udhëhequra nga NASA, të përdorura për të qeverisur përdorimin civil ndërkombëtar të hapësirës. Në të njëjtin muaj, SHBA-ja bëri një premtim për t'u bashkuar me Observatorin e Hapësirës për Klimë të udhëhequr nga Franca, i cili synon të modelojë dhe gjurmojë ndryshimet klimatike.

Macron bëri gjithashtu një ndalesë në varrezat e Arlingtonit. Ai dhe gruaja e tij, Brigitte, më vonë patën një darkë private me Bidenin dhe zonjën e parë Jill Biden në një restorant në lagjen Georgetown të Washingtonit.

Përveç bisedës së tij në Zyrën Ovale me Bidenin të enjten, Macroni është pritur nga Harris për drekë në Departamentin e Shtetit para darkës shtetërore të mbrëmjes për rreth 350 të ftuar, një gala që është zhvilluar në një pjesë të Shtëpisë së Bardhë. Fituesi i Grammy-t, Jon Batiste ka performuar të enjten në mbrëmje.

Përktheu: Forca Jashari