Pak para se të festojë ditëlindjen e 86-të, ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, do kthehet në Parlamentin e Italisë, duke fituar një vend në Senat, gati një dekadë pasi iu ndalua të mbante poste publike për një dënim për mashtrim tatimor.
Berlusconi u rizgjodh në Dhomën e Lartë të Italisë me më shumë se 50% të votave të dielën në qytetin verior Monza, ku ai zotëron gjithashtu një ekip futbolli që së fundmi u promovua në divizionin më të lartë të Italisë, raportoi Associated Press të martën.
Ndërsa në përgjithësi partia e tij humbi terren në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018.
“Rifitimi i një vendi në Senat ishte një lloj hakmarrjeje personale për Berlusconin, pas të gjitha problemeve gjyqësore që ai kaloi”, ka thënë Massimiliano Panarari, analist politik në Universitetin Mercatorum të Romës.
Në vitin 2013, Senati e përjashtoi Berlusconin për shkak të një dënimi për mashtrim tatimor që rrjedh nga biznesi i tij mediatik dhe atij iu ndalua të mbante poste publike për gjashtë vjet.
Pasi kreu një dënim për shërbim në komunitet, një gjykatë vendosi se ai mund të mbante sërish poste publike dhe ai fitoi një vend në Parlamentin Evropian në vitin 2019.