Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdiq ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare, raportoi BBC-ja.

Ai kishte qëndruar për 45 ditë në spital pasi ishte diagnostifikuar me pneumoni.

Silvio Berlusconi, ish-kryeministri italian që u përfshi nga skandalet seksuale dhe akuzat për korrupsion, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Një magnat mediatik, miliarderi Berlusconi, mori për herë të parë detyrën e kryeministrit në vitin 1994 dhe drejtoi katër qeveri deri në vitin 2011.

Berlusconi përdori rrjetet e tij televizive dhe pasurinë e pamasë për ta nisur karrierën e tij të gjatë politike.

Edhe Berlusconi, “shpëtimtari” i Italisë nga kërcënimi komunist Botë Berlusconi, “shpëtimtari” i Italisë nga kërcënimi komunist

Për admiruesit, ish-udhëheqësi politik ishte një burrë shteti i aftë dhe karizmatik, i cili u përpoq ta ngrinte Italinë në skenën botërore. Për kritikët, ai ishte një populist që kërcënoi të minonte demokracinë duke e përdorur pushtetin politik si një mjet për ta pasuruar veten dhe bizneset e tij.

Berlusconi lindi në Milano më 29 shtator 1936, djalë i një bankieri të klasës së mesme. Ai mori një diplomë juridike, e në moshën 25-vjeçare themeloi një kompani ndërtimi dhe ndërtoi komplekse apartamentesh për familjet e klasës së mesme në periferi të Milanos, pjesë e një bumi të pasluftës. Por, pasuria e tij astronomike erdhi nga media. Në fund të viteve 1970 dhe 1980, ai anashkaloi monopolin televiziv shtetëror të Italisë RAI duke krijuar një rrjet de facto në të cilin stacionet lokale shfaqnin të gjitha të njëjtin program.

Berlusconi e shihte veten si shpëtimtarin e Italisë nga ajo që ai e përshkroi si kërcënim komunist – vite pas rënies së Murit të Berlinit.

Që nga fillimi i karrierës së tij politike në vitin 1994, ai e portretizoi veten si objektivin e një gjyqësori, që ai e përshkroi si simpatizues të majtë. Ai gjithmonë shpallte pafajësinë e tij.

Qeveria e tij e parë në vitin 1994 u shemb pas tetë muajsh kur një aleat që drejtonte një parti anti-imigruese fitoi mbështetje. Por, i ndihmuar nga një fushatë agresive që përfshinte postime masive të revistave që tregonin historinë e tij të suksesit, Berlusconi fitoi në vitin 2001. Duke bërë ndryshime të herëpashershme në kabinetin e tij, ai qëndroi në pushtet për pesë vjet, duke vendosur një rekord për jetëgjatësinë e qeverisë në Itali.

Mandati i tij i dytë, nga 2001-2006, ishte ndoshta epoka e tij e artë, kur si kreu më jetëgjatë i qeverisë së Italisë ai rriti profilin global të Italisë përmes miqësisë së tij me presidentin e SHBA-së, George W. Bush.

Në vitin 2008, ai u rikthye për atë që do të ishte mandati i tij i fundit si kryeministër. Mandati përfundoi papritur në vitin 2011, kur tregjet financiare humbën besimin në aftësinë e tij për ta mbrojtur Italinë nga nënshtrimi ndaj krizës së borxhit sovran të eurozonës. Për lehtësimin e fuqisë ekonomike të Gjermanisë, Berlusconi dha dorëheqjen.

Edhe Kolumne Talenti i tallavasë italiane

Çështjet penale që rëndonin mbi Berlusconin ishin të shumta. Ai fitonte gjithmonë në apel ose çështjet pezulloheshin. Hetimet kishin në shënjestër festat të të ashtuquajtura "bunga bunga" të magnatit që përfshinin gra të reja dhe të mitura, ose bizneset e tij, të cilat përfshinin ekipin e futbollit, AC Milan, tri rrjetet më të mëdha private televizive në vend, revista dhe një gazetë të përditshme, si dhe kompani reklamash dhe filmash.

Vetëm për një akuzë u shqiptua dënim – ishte një rast mashtrimi fiskal që rridhte nga një shitje e të drejtave të filmit në perandorinë e tij të biznesit. Dënimi u la në fuqi në vitin 2013 nga gjykata më e lartë penale e Italisë, por ai u lirua nga burgu për shkak të moshës 76-vjeçare dhe u obligua për shërbim ndaj komunitetit, duke ndihmuar pacientët me Alzheimer.

Ai nuk kishte më vend në Senat dhe iu ndalua të kandidonte ose të mbante poste publike për gjashtë vjet, sipas ligjeve kundër korrupsionit.

Ai u rikthye përsëri në detyrë - u zgjodh në Parlamentin Evropian në moshën 82-vjeçare dhe më pas vitin e kaluar në Senatin italian.

Partia e tij politike, Forza Italia, ishte një partner koalicioni me kryeministren aktuale, Giorgia Meloni, një lidere e ekstremit të djathtë që erdhi në pushtet vitin e kaluar.

Miqësia e Berlusconit me presidentin rus, Vladimir Putin, e vuri atë në kundërshtim me Melonin, një mbështetëse e vendosur e Ukrainës. Në ditëlindjen e tij të 86-të, ndërsa lufta ishte në kulmin e saj, Putini i dërgoi Berlusconit urimet më të mira dhe vodka, dhe italiani u mburr se ia ktheu favorin duke i kthyer verën italiane.

Edhe Politikani pompoz i Italisë Botë Politikani pompoz i Italisë

Shqetësimet shëndetësore e ndoqën Berlusconin gjatë viteve. Ai vuajti nga sëmundjet e zemrës, kanceri i prostatës dhe u shtrua në spital për COVID-19 në vitin 2020. Agjencia italiane e lajmeve LaPresse raportoi vdekjen e Berlusconit pasi ai u shtrua në spital të premten për herë të dytë në muaj për trajtimin e leukemisë kronike.

Përktheu: Forca Jashari