Botë

BE-ja dhe SHBA-ja afër marrëveshjes tregtare që garanton uljen e tarifave

Donald Trump dhe Von der Leyen

Foto: Associated Press

Sipas raportimit të gazetës britanike, “The Guardian”, Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë afër arritjes së marrëveshjes tregtare që parasheh ulje të tarifave në 15 për qind për mallrat e bllokut evropian.

Norma tarifore, e cila është e ngjashme me atë të marrëveshjes tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Japonisë, do të aplikohet në shumicën e mallrave, përveç në disa produkte si aeroplanët dhe pajisjet mjekësore, bazuar në burimet diplomatike të afërta me procesin.

Vendet anëtare janë përditësuar me zhvillimet e fundit nga Komisioni Evropian të mërkurën pasdite.

Për të arritur një marrëveshje sa më të leverdisshme, BE-ja ka ofruar gjithashtu të ulë tarifën e saj të “shtetit më të favorizuar” – aktualisht me mesatare prej 4.8 për qind – në zero për disa produkte amerikane, si pjesë e marrëveshjes.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e presidentit amerikan, Donald Trump, mirëpo nëse miratohet, kjo nënkupton që BE-ja do të pranojë marrëveshje më të keqe sesa Britania e Madhe, e cila ka rënë dakord për një tarifë bazë prej 10%.

Kjo do të ishte gjithashtu e vështirë për industrinë gjermane të makinave, tarifat e së cilës do të uleshin nga 27.5%, por që sërish do të ishin pesëfish më të larta se detyrimi i mëparshëm doganor prej 2.75%, para rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

E zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, ka thënë të enjten se “BE-ja vazhdon të angazhohet intensivisht me SHBA-në në nivele teknike dhe politike, dhe kjo është gjithçka që mund të them për momentin”.

Ai ka shtuar gjithashtu se “sa i përket marrëveshjes, besojmë se një rezultat i tillë është i arritshëm, dhe po punojmë me të gjitha forcat për ta realizuar atë për qytetarët e BE-së, për kompanitë dhe për konsumatorët”.

Gill s’ka pranuar të ofrojë detaje të tjera mbi përmbajtjen e mundshme të marrëveshjes tregtare.