Botë

BE-ja bën thirrje për dialog pas kërcënimit të Trumpit me tarifë prej 50 për qind

shba - be

Shefi i tregtisë në Bashkimin Evropian, Maros Sefcovic, ka bërë të ditur se blloku prej 27 vendeve është i përkushtuar që të sigurojë një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton BBC.

Sipas tij, marrëveshja në fjalë duhet të bazohet në respekt e jo në kërcënime. 

“BE-ja është plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar për të siguruar një marrëveshje që funksionon për të dyja palët”, ka thënë Sefcovic, pas telefonatës me përfaqësuesin tregtar të SHBA-së, Jamieson Greer, dhe Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick.

“Tregtia BE-SHBA është e pakrahasueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjellë, jo nga kërcënimet. Jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur të premten padurimin e tij me bisedimet paraprake mes SHBA-së dhe BE-së, teksa ka shkruar në rrjete sociale se ka në plan që të rrisë tarifat për të gjitha mallrat evropiane që hyjnë në Amerikë në 50 për qind. 

E tarifat kundër BE-së, bazuar në deklarimet e presidentit amerikan, pritet të hyjnë në fuqi nga 1 qershori.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa prej 25% për telefonat e mençur të markave iPhone dhe Samsung, që nuk prodhohen në Shtetet e Bashkuara.

Këto zhvillime shënojnë përshkallëzimin më të fundit të luftës tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, me këtë të fundit që është goditur tashmë nga një tarifë universale prej 10 për qind për të gjitha produktet e saj që synojnë tregun amerikan.