Botë

Liderët evropianë shprehin shqetësime për marrëveshjen tregtare BE-SHBA

Donald Trump dhe Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Marrëveshja tregtare e dakorduar ndërmjet presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në takimin e zhvilluar të dielën në Skoci, ka arritur t’i shmangë pasojat nga lufta e mundshme tregtare, duke ulur tarifat mbi mallrat evropiane nga 30 për qind sa ishte premtuar në fillim në 15 për qind.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka theksuar faktin se marrëveshja ia ka dalë të ruajë unitetin e Bashkimit Evropian dhe të ofrojë stabilitet në të dyja anët e Atlantikut, ndonëse ka thënë se do të preferonte që marrëveshje të ishte edhe më e leverdishme.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thënë se është e domosdoshme që të shihen detajet e marrëveshjes në mënyrë që ajo të analizohet e vlerësohet më tutje, tek ka shtruar pyetje rreth përjashtimeve të mundshme, premtimeve për investime evropiane dhe blerjeve të gazit nga Shtetet e Bashkuara, si dhe se si të ndihmohen industritë e prekura.

E ministri për Çështje Evropiane i Francës, Benjamin Haddad, ka deklaruar se pavarësisht “stabilitetit të përkohshëm” që prodhon marrëveshja, ajo është në përgjithësi e “pabalancuar”, duke e përshkruar situatën si “jo aq të kënaqshme dhe.... të paqëndrueshme”.

Më vonë gjatë ditës, pritet edhe reagimi i kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez. 

Sipas analizës së gazetës britanike “The Guardian”, marrëveshja ka prodhuar dy lajme.

Lajmi i mirë është që Bashkimi Evropian ka arritur marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, teksa lajmi i keq është se shumë biznese dhe industri evropiane e shohin atë si fitore për Donald Trumpin.