Forca Ajrore e SHBA-së ka publikuar video ku shihen avionët luftarakë rusë që fluturojnë rrezikshëm afër disa dronëve amerikanë mbi Siri, duke lëshuar tym e duke detyruar që MQ-9 amerikanë të bëjnë manovra për t’u ikur.
Forca Ajrore e ka përshkruar situatën në një deklaratë. “Këto ngjarje përfaqësojnë një nivel të ri të veprimeve joprofesionale dhe të pasigurta nga forcat ajrore ruse që operojnë në Siri”.
Gjenerali Alex Grynkewich, komandant i Forcës së 9-të Ajrore në Lindjen e Mesme, ka thënë se një prej pilotëve rusë e lëvizi avionin para dronit dhe iu afrua, duke ia reduktuar aftësinë e dronit që të operojë në mënyrë të sigurtë. Kjo mund të paraqesë rrezik për dronët, shkroi Guardian.
Grynkewich ka shtuar se avionët rusë “filluan të ngacmonin dronët” ndërsa tre prej tyre po operonin mbi Siri, në një mision kundër grupit të Shtetit Islamik.
Video:
“Avionët ushtarakë rusë vepruan me sjellje të pasigurt dhe joprofesionale ndërsa ndërvepronin me avionët amerikanë në Siri”, ka theksuar ai duke shtuar se u rrezikuan forcat amerikane dhe ato ruse. “Ne i bëjmë thirrje forcave ruse në Siri që të ndalojnë këtë sjellje të pamatur dhe t’u përmbahen standardeve që priten nga një forcë ajrore profesionale kështu që të mund ta kthejmë fokusin në mposhtjen e ISIS-it”.