Më shumë se 200 të burgosur janë arratisur nga një burg në qytetin më të madh të Pakistanit pas një tërmeti në orët e para të së martës, ka bërë të ditur policia.
Mijëra të burgosur thyen dyert dhe bravat e qelive të tyre dhe thyen dritaret pasi ndien dridhje në muret në burgun Malir në Karaçi, raporton BBC.
Nga ata që shpëtuan nga burgu, policia ka thënë se 80 janë rikapur dhe kërkimet po vazhdojnë për më shumë se 130 që janë ende në arrati. Një i burgosur është vrarë në operacion dhe dy oficerë burgu janë plagosur.
Një zyrtar burgu i ka thënë BBC-së se të burgosurit filluan të bërtisnin nga qelitë e tyre rreth mesnatës, pasi ishin të tmerruar se ndërtesa do të shembej mbi ta.
Shumë nga mijëra të burgosur u kthyen në qelitë e tyre pasi policia iu përgjigj tentimit të tyre për të ikur, me të shtëna paralajmëruese.
Teksa shumë u kthyen në qelitë e tyre, të tjerë sulmuan portën kryesore në panik, duke bërë që 216 të burgosur të përdornin mundësinë për t'u arratisur nga burgu.
Policia tani po shkon derë më derë, duke vizituar banesat për të arrestuar ata që janë ende në arrati.
Objekti në distriktin Malir është burgu i dytë më i madh i provincës Sindh dhe është i mbi populluar.
Ndonëse mund të akomodojë deri në 2,200 të burgosur, aktualisht ka të paktën 5,000 të burgosur atje.