Botë

Anija e mallrave mbetet në det, Australia përballet me vërshime

Një anije mallrash që u largua nga porti australian i Wollongong të hënën në mëngjes ka humbur energjinë elektrike dhe po lundron në det në jug të Sidneit me një grup prej 21 personash ekuipazh në bord.

Sipas autoriteteve lokale, anija tani është ankoruar pranë bregut dhe një rimorkiator është në vendndodhje duke provuar që ta parandalojë t’u afrohet shkëmbinjve. Gjithashtu, është bërë e ditur se një rimorkiator i dytë, më i fuqishëm është në rrugë për ta tërhequr anijen e ngarkesave të bllokuara në det.

Ishte planifikuar që të transportohet edhe ekuipazhi i anijes në vend të sigurt, mirëpo për shkak të motit të ligë nuk u realizua. Punonjësit e shpëtimit nuk kishin mundësi të hipnin në anije.

Ndërkohë, Australia po përballet me stuhi të fuqishme që kanë shkaktuar përmbytje ne disa qytete. Banorët në një pjesë të shtetit të New South Wales të Australisë u zgjuan të dielën në mëngjes me urdhrat e evakuimit pasi niveli i ujit vazhdon të rritet për shkak të shiut të dendur.