Në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa shumë nga të rinjtë e amputuar luftojnë për të kuptuar se si humbja e gjymtyrëve ka ndryshuar jetën e tyre. Nawal Jaberit, 54 vjeçe, i janë amputuar të dyja këmbët, pasi ajo u plagos më 22 nëntor, kur një bombardim izraelit goditi shtëpinë e zbrazët të fqinjit të saj dhe dëmtoi shtëpinë e saj në Bureij
Mjekët i ofruan Shaimaa Nabahinit një zgjedhje të vështirë: të humbiste këmbën e majtë ose të vdiste. 22-vjeçarja ishte shtruar në spital në Gaza për rreth një javë, pasi i ishte prerë pjesërisht kyçi i këmbës si pasojë e një sulmi ajror izraelit, kur mjekët i thanë se vuante nga helmimi i gjakut. Nabahini zgjodhi të maksimizonte shanset e saj për të mbijetuar dhe pranoi t’i amputohej këmba 15 centimetra nën gju.
Vendimi që mori ia përmbysi jetën studentes ambicioze të universitetit, siç ka ndodhur për shumë nga më se 54.500 të plagosur të luftës, që u përballën me zgjedhje të ngjashme.
“E gjithë jeta ime ka ndryshuar”, tha Nabahini, duke folur nga shtrati i saj në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa në qytetin qendror të Deir al-Balahit. “Nëse dua të bëj një hap ose të shkoj diku, kam nevojë për ndihmë”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thonë se amputimet janë bërë të zakonshme gjatë luftës Izrael-Hamas, tani në javën e saj të 12-të, por nuk mund të ofrojnë shifra të sakta. Në spitalin në Deir al-Balah dhjetëra personave që u janë amputuar gjymtyrët, janë në faza të ndryshme trajtimi dhe shërimi, shkruan AP.
Pa spitale
Ekspertët besojnë se në disa raste, gjymtyrët mund të ishin shpëtuar me trajtimin e duhur. Por pas disa javësh të ofensivës së ashpër ajrore dhe tokësore të Izraelit, vetëm nëntë nga 36 spitalet e Gazës janë ende funksionale. Ato janë shumë të mbipopulluara, ofrojnë trajtim të kufizuar dhe u mungojnë pajisjet bazë për të kryer operacione. Shumë të plagosur nuk janë në gjendje të arrijnë në spitalet që janë ende funksionale, sepse janë të bllokuar nga bombardimet izraelite dhe luftimet tokësore.
Sean Casey, zyrtar i OBSH-së, i cili së fundmi vizitoi disa spitale në Gaza, tha se mungesa akute e kirurgëve vaskularë - të parët që përgjigjen ndaj lëndimeve të traumës dhe për të shpëtuar gjymtyrët - po rrit numrin e amputimeve.
Por gjithashtu në shumë raste, tha ai, natyra e rëndë e lëndimeve nënkupton se disa gjymtyrë nuk mund të shpëtohen dhe duhet të amputohen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Njerëzit mund të vdesin nga infeksionet që kanë, sepse gjymtyrët e tyre janë të infektuara”, tha Casey në një konferencë shtypi javën e kaluar. “Ne pamë pacientë që ishin septikë për këtë gjë”.
Izraeli shpalli luftë pasi militantët e Hamasit sulmuan përtej kufirit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng më shumë se 240 të tjerë. Izraeli është zotuar të vazhdojë luftën derisa Hamasi të shkatërrohet dhe të hiqet nga pushteti në Gaza dhe të lirohen të gjitha pengjet. Më shumë se 20 mijë palestinezë janë vrarë në luftime, rreth 70% e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve të vdekur.
Para luftës, sistemi shëndetësor i Gazës ishte i mbingarkuar pas vitesh konflikti dhe një bllokadë kufitare të zbatuar nga Izraeli dhe Egjipti në përgjigje të marrjes së territorit nga Hamasi në vitin 2007. Në vitin 2018 dhe 2019, mijëra u plagosën nga përgjigjja e ushtrisë izraelite në protestat javore kundër bllokadës, të udhëhequra nga Hamasi, dhe më shumë se 120 prej të plagosurve iu amputuan gjymtyrët.
Edhe atëherë, të amputuarit nga Gaza e kishin të vështirë të siguronin proteza që do t’i ndihmonin ata t’i ktheheshin një jete aktive.
Zhvendosja e palestinezëve
Rreth 85% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur, duke u grumbulluar në tenda, shkolla të kthyera në strehimore ose shtëpi të të afërmve. Uji, ushqimi dhe furnizimet e tjera bazë janë të pakta.
Më 13 nëntor, kur një sulm ajror izraelit goditi shtëpinë e fqinjit të Nabahinit në Bureij, një kamp refugjatësh urban në Gazën qendrore, kyçi i saj dhe arteriet në këmbë iu prenë nga një grumbull çimentoje që goditi shtëpinë e saj nga shpërthimi. Ajo ishte e vetmja nga familja e saj që u plagos, ndërsa një numër i fqinjëve të saj u vranë, tha ajo.
Ajo u dërgua shpejt në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa aty pranë, ku mjekët arritën t’i qepnin këmbën dhe të ndalonin gjakderdhjen.
Por pas kësaj, Nabahini tha se ajo mori trajtim ose vëmendje minimale nga mjekët, të cilët kishin të bënin me një numër në rritje të njerëzve të plagosur rëndë në mes të furnizimeve mjekësore të pakësuara. Ditë më vonë, këmba e saj mori një ngjyrë të errët, tha ajo.
“Ata zbuluan se kishte … copëza që po më helmonin gjakun”, tha ajo.
Amputimi shkoi mirë, por Nabahini tha se ajo vazhdon të ketë dhimbje akute dhe nuk mund të fle pa qetësues.
Jourdel Francois, një kirurg ortopedik me Mjekët pa Kufij, thotë se rreziku i infeksioneve pas operacionit në Gazën e goditur nga lufta është i lartë. Francois, i cili punoi në Spitalin Nasser në qytetin jugor të Khan Younisit në nëntor, tha se higjiena ishte e dobët, kryesisht për shkak të ujit të pakët dhe kaosit të përgjithshëm në një spital që është i mbingarkuar me pacientë ndërsa pret mijëra civilë të zhvendosur.
Ai kujtoi se një vajzë e re, këmbët e së cilës ishin shtypur dhe kishte nevojë urgjente për një amputim të dyfishtë, por ajo nuk mundi të hynte në operacion atë ditë për shkak të numrit të madh të njerëzve me lëndimeve të tjera kritike. Ajo vdiq më vonë atë natë, tha Francois, me gjasë nga sepsa, ose helmimi i gjakut nga bakteret.
“Ka 50 njerëz të plagosur që vijnë çdo ditë, ju duhet të bëni një zgjedhje”, tha ai për Associated Press, përmes telefonit, pasi u largua nga Gaza.
Në Spitalin e Martirëve Al-Aqsa shumë nga të rinjtë e amputuar luftojnë për të kuptuar se si humbja e gjymtyrëve ka ndryshuar jetën e tyre. Nawal Jaberit, 54 vjeçe, i janë amputuar të dyja këmbët pasi ajo u plagos më 22 nëntor, kur një bombardim izraelit goditi shtëpinë e zbrazët të fqinjit të saj dhe dëmtoi shtëpinë e saj në Bureij. Nipi i saj u vra ndërsa burri dhe djali i saj u plagosën.
“Do të doja të mund të plotësoja nevojat e fëmijëve të mi, por nuk jam në gjendje”, tha nëna e tetë fëmijëve, me lot në fytyrë.
Para konfliktit, Nabahini kishte filluar punimin e diplomës për marrëdhënie ndërkombëtare në Gaza dhe kishte planifikuar të udhëtonte në Gjermani për të vazhduar studimet.
Ajo tha se qëllimi i saj tani është të largohet nga Gaza, të “shpëtoj atë që më ka mbetur dhe të vendos një gjymtyrë proteze dhe të jetoj normalisht”. (Përktheu: Forca Jashari)