Botë

Mjekët në Gazë i humbasin ndjenjat tek përpiqen t’i shpëtojnë pacientët që po vdesin nga uria

Mjekët në Gaza

Në Spitalin Nasser dhe në të gjithë Gazën, mjekët dhe pacientët po luftojnë për mbijetesë mes urisë ekstreme dhe kolapsit të sistemit shëndetësor. Mjekët po punojnë me stomak bosh, duke i humbur ndjenjat nga rraskapitja, ndërsa foshnjat e kequshqyera po vdesin para syve të tyre. Situata humanitare është e rëndë dhe përkeqësohet çdo orë, ndërkohë që ndihma mbetet e pamjaftueshme.

Doktori Mohammad Saqer është i uritur. Aq shumë, saqë nganjëherë mezi qëndron në këmbë ndërsa i trajton pacientët të cilët janë në gjendje të rëndë në Spitalin Nasser, në jug të Gazës. Një ditë,  ai i humbi ndjenjat ndërsa punonte në repart. Dhe menjëherë pasi u këndell, u rikthye për ta përfunduar turnin 24-orësh.

“Kolegët e mi më kapën para se të rrëzohesha dhe më dhanë lëngje intravenoze dhe sheqer. Ishte një mjek i huaj që e kishte një lëng Tango dhe ma përgatiti. E piva menjëherë”, tha Saqer për CNN-in. “Nuk jam diabetik – kjo ishte nga uria. Nuk ka sheqer. Nuk ka ushqim”.

Ndërsa kriza e urisë në Gaza thellohet, ata që përpiqen ta mbajnë në jetë një popullsi të kequshqyer, po vuajnë njësoj si pacientët që i trajtojnë.

Saqer tha se numri i kolegëve të tij që i kanë humbur ndjenjat gjatë punës është rritur ndjeshëm ditët e fundit, me mjekë dhe infermierë në disa reparte që rrëzohen nga uria dhe rraskapitja.

Doktori Fadel Naim, kirurg dhe drejtor i Spitalit Al-Ahli Al-Arabi në veri të Rripit të Gazës, tha për CNN-in se edhe shumë nga kolegët e tij kanë rënë pa ndjenja për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, përfshirë dy që u rrëzuan gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale këtë javë.

“Për shkak se jam drejtori i spitalit, një nga detyrat e mia është të gjej ushqim për stafin, nuk po marrim mjaftueshëm ushqim. Nëse arrijmë ta kemi një vakt në ditë, jemi me fat, dhe shumica e stafit punojnë 24/7 – është shumë e vështirë të vazhdojmë kështu”, tha Naim.

Dëshmitë e drejtpërdrejta të këtyre dy mjekëve përputhen me atë që e thanë më herët gjatë javës mbi 100 organizata ndërkombëtare humanitare, të cilat paralajmëruan se po i “shihnin kolegët dhe partnerët e tyre duke u tretur para syve”.

Saqer, i cili është drejtori i infermierisë në Spitalin Nasser, tha se, ashtu si të gjithë punonjësit e tjerë mjekësorë atje, ai e merr vetëm një pjatë të vogël me oriz në ditë për ta ngrënë.

“Jemi tërësisht të shteruar fizikisht, dhe ndërkohë duhet të trajtojmë pacientë që janë po aq të rraskapitur. Njerëz të rraskapitur duke trajtuar të tjerë të rraskapitur, të uriturit duke ndihmuar të uriturit, të dobëtit duke i ndihmuar të dobëtit”, tha ai.

Doktori Ahmad Al-Farra, drejtor i Spitalit të Pediatrisë dhe Obstetrikës Al-Tahrir në Kompleksin Mjekësor Nasser, tha se uria ka ndikuar në shëndetin e të gjithë mjekëve.

“Shumica e tyre tani vuajnë nga depresioni, dobësia e përgjithshme, paaftësia për t’u përqendruar dhe humbja e kujtesës. Niveli i tyre i energjisë është jashtëzakonisht i ulët, krejt ndryshe nga më parë. Shumë prej tyre e kanë humbur pasionin për jetën”, tha ai për CNN-in.

Ai shtoi se kuzhina e spitalit ka mbetur pa ushqim dhe se edhe kuzhina humanitare ndërkombëtare që më parë i ushqente mjekët, infermierët dhe familjarët e pacientëve, tashmë është mbyllur.

“Të gjithë ata që punojnë në spital janë pa ushqim. Mjekët dhe infermierët po punojnë në turne 24-orëshe me stomak bosh”, përfundoi ai.

900.000 fëmijë po vuajnë nga uria

Reparti që i trajton fëmijët e kequshqyer në Spitalin Nasser, aty ku punon Saqer, është i mbushur me foshnja aq të dobëta, saqë mezi duken si qenie njerëzore.

Kockat e fytyrës, të shtyllës kurrizore dhe brinjëve duket sikur po dalin përtej lëkurës. 

Një video e CNN-it tregon shumë prej tyre duke qarë, por disa janë aq të dobët sa nuk kanë më as fuqi për të qarë. Thjesht qëndrojnë të shtrirë në krevate ose mbi dyshekë të vendosur në dysheme, duke e parë botën përreth me sy të mëdhenj që duken edhe më të mëdhenj në fytyrat e tyre të dobësuara. Disa prej tyre kanë bark të fryrë – një shenjë klasike e kequshqyerjes.

Nënat që përpiqen me çdo mënyrë t’i ushqejnë janë edhe vetë të dobëta. Duken të rraskapitura dhe të tmerruara.

Njëra prej tyre, Yasmin Abu Sultan, foli për CNN-in ndërsa përpiqej të ushqente vajzën e saj, Mona, me një shiringë.

“Ajo ka nevojë për fruta. Duhet t’i japim perime, por nuk ka… më parë nënat ushqenin me gji. Nuk mbështeteshim te qumështi formulë, por tani shumica e nënave varen nga ai, sepse nuk ka ushqim. Është e pamundur për një grua të ushqejë me gji pa ngrënë vetë”, tha ajo.

Një tjetër nënë, Najah Hashem Darbakh, tregoi se megjithëse mjekët i dhanë vajzës së saj, Sila Darbakh, disa suplemente, nuk kishte asnjë lloj formule për të. Vajza ka nevojë për qumësht, sepse vuan nga diarreja kronike dhe dehidratimi.

“U thashë që më duhet qumësht. M’u përgjigjën: ‘mundohu ta gjesh vetë, nëse mundesh’, por vetëm në këtë dhomë katër fëmijë kanë vdekur nga uria. Kam frikë se vajza ime do të jetë e pesta”.

Megjithatë, të paktën Mona dhe Sila janë në një spital ku mund të marrin ndonjë trajtim, edhe pse jo aq sa duhet.

Një tjetër nënë që foli për CNN-in, Hidaya Al Mtawwaq, jeton në një tendë pranë spitalit Al-Ahli Al-Arabi në Gazë me djalin e saj, Mohammad, i cili vuan nga një sëmundje muskulore, që kërkon terapi fizike dhe ushqim të specializuar. Ai është tre vjeç dhe peshon vetëm gjashtë kilogramë – nga nëntë sa peshonte para pak muajsh.

“Ai nuk mund të qëndrojë në këmbë, nuk lëviz më si më parë, gjithçka për shkak të urisë dhe mungesës së ushqimit”, tha ajo. 

Al Mtawwaq ka shkuar me djalin e saj në disa spitale dhe gjithmonë e ka marrë të njëjtën përgjigje – ai ka nevojë urgjente për suplemente ushqimore që nuk gjenden në Gazë. E vetmja gjë që arrin të gjejë është pak qumësht – dhe edhe ai po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u siguruar.

Ajo tha se burri i saj është vrarë në luftë. “Luftoj çdo ditë thjesht për t’ia siguruar një shishe qumësht. Jam vërtet e rraskapitur. E dërrmuar”.

Sipas OKB-së, të gjithë 2.1 milionë banorët e Gazës janë tani në gjendje pasigurie ushqimore, pa qasje të qëndrueshme në ushqim të mjaftueshëm, të përballueshëm dhe të shëndetshëm. 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, 900.000 fëmijë po vuajnë nga uria, dhe 70.000 prej tyre tashmë shfaqin shenja të kequshqyerjes.

Situata po përkeqësohet nga ora në orë. “Mjekët pa Kufij” njoftuan se normat e kequshqyerjes së rëndë te fëmijët nën pesë vjeç në klinikat e tyre janë trefishuar vetëm gjatë dy javëve të fundit të korrikut.

Doktori Naim tha se fëmijët që kanë lindur gjatë luftës janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj problemeve shëndetësore të shkaktuara nga kequshqyerja.

“Ata që janë dy apo tre vjeç janë rritur në kushte të pashëndetshme, me imunitet të dobësuar dhe alergji. Vuajnë nga probleme në zhvillimin e trurit dhe funksionet motorike – probleme që do të vazhdojnë edhe nëse arrijnë ta mbijetojnë urinë”, tha ai, duke shtuar se ndien sikur Gaza është braktisur nga bota.

“Si popull paqedashës palestinez, po ndëshkohemi kolektivisht… (Presidenti amerikan) Donald Trump duhet ta marrë një qëndrim të fortë, sidomos kur pretendon se është njeri i paqes dhe i përkushtuar për ta arritur paqen”.

Doktori Al-Farra i tha CNN-it se po trajtonte një vajzë të vogël që kishte zhvilluar mungesë të rrezikshme të kaliumit për shkak të urisë.

“Vura re që vajza po e dëgjonte bisedën tonë dhe i kërkoi nënës së saj të dinte si ta parandalonte mungesën e kaliumit”, tregoi doktori. Nëna i tha vajzës se patatet dhe bananet do ta ndihmonin – por asnjë prej tyre nuk gjendet në Gazë.

“Pastaj vajza e pyeti nënën nëse kishte banane në parajsë dhe ajo iu përgjigj: po. Atëherë vajza tha: ‘atëherë, le të bëhemi dëshmorë që të ha banane dhe të bëhem më mirë’”, kujtoi Al-Farra.
“A mund ta imagjinoni një fëmijë që dëshiron të vdesë – vetëm që të hajë ushqim?”

Përtej asaj që mendja njerëzore mund ta kuptojë

Ashtu si të gjithë kolegët e tij, Saqer thotë se mendja i rri gjithmonë te familja ndërsa trajton pacientët. Sepse në Gazë mjekët nuk mund të jenë kurrë të sigurt që viktima e radhës që vjen në spital, nuk është ndonjë person i dashur për ta.

“Po punojmë, fatkeqësisht, me mendjen te familjet tona, të cilat po vuajnë nga uria”, tha ai, duke shtuar se kur gruaja e tij ia tha këtë javë se nuk kishte më ushqim, ai shkoi në treg për të blerë diçka.
“Mielli tani kushton sa ari në Gazë. Bleva dy kilogramë, mjaftueshëm për tri ditë, për 310 shekelë (92 dollarë)”, tha ai.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, paga mesatare ditore në Gazë ishte pak më pak se 13 dollarë në ditë në vitin 2021, që është të dhëna më e fundit e disponueshme.

Organizatat humanitare prej kohësh kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë në Gazë. Rajoni ka qenë gjithmonë i varur nga ndihma humanitare, por që nga sulmet terroriste të 7 tetorit 2023, të nisura nga Hamasi nga Gazë, Izraeli e ka kufizuar rëndë furnizimin me ushqime dhe produkte të tjera jetike.

Ka pasur periudha gjatë luftës kur nuk është lejuar fare futja e ushqimit në Gazë. Edhe pse aktualisht po lejohet një sasi shumë e vogël ndihme, ajo është larg të qenit e mjaftueshme dhe nuk po arrin tek ata që kanë më shumë nevojë.

Gjetja e ushqimit po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. OKB-ja deklaroi këtë javë se më shumë se 1.000 persona janë vrarë nga forcat izraelite që nga fundi i majit ndërsa përpiqeshin të gjenin ushqim, periudhë kur filloi funksionimi i Fondacionit Humanitar të Gazës – një iniciativë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja, e cila ka ngjallur shumë polemika.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se palestinezët në Gazë po vuajnë nga “uria masive” e shkaktuar nga njeriu, për shkak të vendimit të Izraelit për ta bllokuar ndihmën.

Izraeli i ka mohuar akuzat dhe këtë javë, Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amihai Eliyahu, shkoi deri aty sa të deklaronte se “nuk ka uri në Gazë” – pavarësisht provave dërrmuese që e tregojnë të kundërtën. Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, i cilësoi deklaratat e Eliyahut si një “sulm moral dhe katastrofë për diplomacinë publike”.

Doktor Saqer tha se nuk e kishte parë gruan dhe fëmijët për tre muaj, sepse është në spital vazhdimisht. Viktimat mund të vijnë në çdo moment, ndaj duhet të jetë afër edhe gjatë kohës së tij të shkurtër të pushimit.

Situata në Gazë tani është “përtej asaj që mendja njerëzore mund ta kuptojë”, shtoi ai. Mes masakrës dhe vuajtjes, mjekët në spitalin Nasser nuk kanë tjetër përveç njëri-tjetrit për të marrë mbështetje.
“Përpiqemi ta inkurajojmë njëri-tjetrin, duke kujtuar se ky profesion rrjedh nga humanizmi dhe se, në asnjë rrethanë, nuk mund ta braktisim detyrën apo betimin që kemi dhënë,” tha Saqer.