Botë

Të paktën 17 palestinezë të vrarë afër pikës së ndihmave në Gazë

Gaza

Foto: Associated Press

Të shtënat nga ushtria izraelite kanë lënë të vrarë të paktën 17 persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë të martën, përderisa mijëra persona të zhvendosur ishin afruar në pikat e shpërndarjes së ndihmave të Fondit Humanitar të Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë. 

Mjekët kanë bërë të ditur se viktimat u transportuan me urgjencë në dy spitale, përkatësisht në spitalin Al-Awda në kampin Nuseirat në Gazën qendrore, dhe në Al-Quds në veri të Gazës.

Në ushtrinë izraelite kanë njoftuar se janë duke i analizuar incidentet. 

Nuk ka pasur komente as nga Fondi Humanitar i Gazës (FHG) lidhur me ngjarjen e së martës.
FHG-ja ka njoftuar se nuk ka pasur incidente në vendet e saj të shpërndarjes së ndihmave. 

Palestinezët që kërkojnë ndihmë e kanë përshkruar situatën nëpër këto pika si kaotike, teksa gjatë rrugës për në këto vende janë përballur me të shtëna dhe dhunë vdekjeprurëse.

“Shkova atje në 2 të mëngjesit duke shpresuar të merrja disa ushqime, ndërsa isha në rrugë, pashë njerëz që po ktheheshin me duar bosh, ata thanë se pakot e ndihmës kishin mbaruar pas pesë minutash, kjo është çmenduri dhe nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Mohammad Abu Amr, 40 vjeç, prind i dy fëmijëve.

“Dhjetëra mijëra njerëz arrijnë nga zonat qendrore dhe nga ato veriore gjithashtu, disa prej tyre ecën mbi 20 km, vetëm për t’u kthyer në shtëpi të zhgënjyer”, ka shtuar ai për agjencinë e lajmeve Reuters.
Izraeli lejoi rinisjen e operacioneve humanitare të udhëhequra nga OKB-ja më 19 maj pas një bllokade 11-javore në enklavën e populluar nga 2.3 milionë njerëz. 

OKB-ja ka përshkruar ndihmën që është lejuar të hyjë në Gaza si “një pikë në oqean”.

Dëshmitarët kanë pretenduar se të paktën 40 kamionë që transportonin miell për depot e OKB-së u plaçkitën nga palestinezë të zhvendosur e të dëshpëruar, si dhe nga hajdutë pranë rrethrrotullimit Nabulsi.

Lufta shpërtheu pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi morën peng 251 persona dhe vranë rreth 1,200 njerëz, shumica prej tyre civilë, në sulmin e 7 tetorit të vitit 2023.

Që atëherë, fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë më shumë se 54,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, dhe ka rrafshuar pjesën më të madhe të territorit.