Mariam, Nasser dhe Ahmed u evakuuan nga zona e luftës në Gazë, por tani janë të bllokuar në një spital egjiptian që nuk mund t’i trajtojë plagët e tyre kërcënuese për jetën. Atyre iu pamundësua shkuarja për trajtim në SHBA pasi presidenti amerikan Donald Trump ndaloi papritur hyrjen e palestinezëve në SHBA.
Mariam Sabbah ishte në gjumë të thellë, e mbuluar me batanije së bashku me vëllezërit dhe motrat e saj, kur një raketë izraelite goditi shtëpinë e saj në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, në orët e para të 1 marsit.
Raketa kaloi shumë pranë fëmijëve që flinin, por kur Mariam, e tmerruar, vrapoi drejt prindërve të saj, një raketë e dytë goditi.
“E pashë tek vinte drejt meje, por papritur pati një tjetër shpërthim dhe ajo u zhduk mes tymit”, tregon nëna e saj, Fatma Salman.
Teksa prindërit kërkonin me dëshpërim fëmijët, e gjetën Mariamin pa ndjenja, në një pellg gjaku. Krahu i saj i majtë ishte këputur, dhe copa metali e kishin përshkuar trupin e saj të vogël. Ajo po gjakoste rëndë nga barku.
Përveç se humbi krahun, shpërthimi i shkaktoi dëmtime të rënda në bark dhe në pjesën e legenit, pasi shrapneli i kishte dëmtuar fshikëzën e urinës, mitrën dhe zorrët.
“Mariam ka nevojë për një operacion të veçantë për fëmijë”, thotë doktori Mohammed Tahir, një kirurg britanik që e trajtoi Mariamin si vullnetar në spitalin al-Aqsa në Gazë.
“Amputimi i krahut të saj kushton shumë dhe kërkon zgjatje të gjymtyrës dhe një protezë speciale. Pa këtë, do ta ketë shumë të vështirë të jetojë një jetë normale”.
Mariam është një nga dhjetëra mijëra njerëz në Gazë që janë plagosur dhe dëmtuar rëndë nga sulmet ushtarake izraelite gjatë 23 muajve të fundit. Më shumë se 66.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë.
Sulmet e përsëritura ndaj spitaleve dhe bllokada e Izraelit ndaj mallrave dhe ndihmave bazë në Gazë, e kanë shkatërruar sistemin shëndetësor. Mjekët nuk kanë më mjetet për të trajtuar të sëmurët, të plagosurit dhe të uriturit.

Proces i ngadalshëm
Që nga tetori i vitit 2023, janë evakuuar për trajtim urgjent jashtë Gazës 7.672 pacientë, përfshirë 5.332 fëmijë. Por organizimi dhe aprovimi i një evakuimi mjekësor është një proces i ngadalshëm, i vështirë dhe shumë i kontrolluar.
Deri tani, më shumë se 700 pacientë, shumica fëmijë, kanë vdekur duke pritur lejen për të dalë nga Gaza, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Lejet jepen nga COGAT, Departamenti i qeverisë izraelite që merret me aprovimin e evakuimeve mjekësore.
Mariam dhe familja e saj nuk bënë përjashtim. Pasi siguruan një ofertë për trajtim kirurgjikal nga një ekip specialistësh në Ohio të SHBA-së, vajza e vogël priti për dy muaj derisa merri lejen nga COGAT për të dalë nga Gaza. Gjatë kësaj kohe, gjendja e saj u përkeqësua.
Ajo u evakuua më në fund në Egjipt, por mbeti aty për muaj të tërë duke pritur që dokumentet e udhëtimit për SHBA të përpunoheshin.
Pastaj, vetëm disa ditë para takimit në ambasadën amerikane në Kajro për të miratuar vizën e saj, SHBA-ja ndaloi papritur dhënien e vizave për palestinezët - përfshirë fëmijët që kërkonin trajtim në spitale amerikane.
Ky vendim erdhi pas një fushate presioni në internet nga Laura Loomer, një influencuese e ekstremit të djathtë e afërt me Donald Trump. Ajo kishte postuar foto dhe video të pacientëve palestinezë që mbërrinin në SHBA dhe pyeste në rrjetet sociale: “Pse po vijnë ‘pushtuesit islamik’ në SHBA nën administratën Trump?”.
Me gjithë gjuhën e ashpër që shoqëroi ndalimin e vizave, Loomer e quajti vendimin një fitore dhe tha se do ndalte “pushtimin e vendit tonë” – SHBA-ja ka pranuar vetëm 48 evakuime mjekësore nga Gaza, sipas të dhënave të siguruara nga OBSH-ja për gazetën The Guardian.
Për krahasim, 3.995 pacientë janë evakuuar në Egjipt dhe 1.450 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Britania e Madhe deri tani ka pranuar vetëm 13 pacientë.
Organizatat mjekësore joqeveritare thonë se rreth 20 fëmijë me plagë të rënda janë prekur nga ndalimi i vizave dhe janë tani të bllokuar në vende tranziti, pa ndonjë destinacion dhe pa mundësi për të marrë trajtimin që u shpëton jetën.
Qëkur mori lajmin se Mariam nuk do të mund të shkonte për trajtim, nëna e saj, Salman, nuk ka mundur ta qetësojë vajzën.
“Ajo nuk do të ngrihet nga shtrati dhe nuk ndalon së qari”, thotë ajo. “Mariam i kishte të gjitha shpresat te trajtimi në SHBA”.
Disa dhoma më tej, gjithashtu i bllokuar në Egjipt për shkak të ndalimit të vizave, është edhe 18-vjeçari Nasser al-Najjar, i cili nuk mund ta shohë më veten në pasqyrë.
Pasi u zhvendos me familjen, Najjar po strehohej në një shkollë në Jabaliya, në veri të Gazës, kur ajo u godit nga një sulm ajror izraelit në janar.
Ai pësoi dëmtime të tmerrshme në fytyrë dhe nofull që e lanë tërësisht të dëmtuar: humbi syrin e majtë, hunda iu këput dhe nofulla iu thye, duke e lënë të paaftë për të marrë frymë, ngrënë apo folur siç duhet.
“Dikur ndihesha krenar për pamjen time, por tani nuk e njoh më veten”, thotë Najjar, me një zë të ngjirur.
Adoleshenti ka nevojë për operacione të ndërlikuara rindërtuese dhe estetike që nuk janë të disponueshme në Egjipt. Mjekët kanë paralajmëruar se pa këto operacione, gjendja e tij do të përkeqësohet.
Atij i është ofruar trajtim në spitalin e fëmijëve El Paso në Teksas, ku mjekë specialistë janë në pritje për ta operuar, por tani është e paqartë nëse Najjar do të lejohet ndonjëherë të shkojë.
Pasiguria ka pasoja të rënda për shëndetin mendor. Ahmed Duweik vuan tashmë nga dhimbje të gjymtyrëve - dhimbje të mprehta, therëse, që vijnë dhe ikin në mënyrë të paparashikueshme, duke e bërë të bërtasë nga dhimbja.
Por që kur mësoi se udhëtimi i tij për trajtim në SHBA mund të mos ndodhë, ky 10-vjeçar është bërë emocionalisht i mbyllur.
Edhe Ahmed ishte në gjumë në shtëpi kur raketat goditën kampin e refugjatëve Nuseirat gjatë natës.
Gjatë bombardimeve, ai pësoi plagë të rënda - shrapneli përshkoi gjithë trupin e tij; iu amputua njëra dorë, pati humbje të indeve në kofshën e djathtë dhe dëmtime të rënda të nervave dhe enëve të gjakut.
Ahmed ka nevojë për operacione komplekse dhe për protezë që nuk mund të sigurohen në Egjipt.
Që nga sulmi, ai vuan nga trauma e thellë psikologjike dhe nuk mund të flejë natën - zgjohet duke qarë e bërtitur dhe i ngjitet nënës nga frika.
Mjekët paralajmërojnë se nëse trajtimi i Ahmedit vonohet më tej, gjendja e tij do të vazhdojë të përkeqësohet.

“Ndalimi i vizave – dënim me vdekje”
Doktori Mosab Nasser, drejtor ekzekutiv i FAJR Global – organizata e ndihmës mjekësore që organizoi evakuimin e fëmijëve nga Gaza dhe ishte përgjegjëse për trajtimin e tyre kirurgjikal në SHBA, tha se ndalimi i vizave ka vendosur një “dënim me vdekje indirekt për viktimat më të pafajshme të kësaj lufte”.
“Po flasim për një numër të vogël fëmijësh me plagë të rënda, që u rrezikojnë jetën”, tha ai. “Këto evakuime mjekësore janë një linjë shpëtimi për ta, dhe ne i bëjmë thirrje qeverisë amerikane të refuzojë këtë retorikë përçarëse dhe të riafirmojë rolin e saj si një strehë e përkohshme për ata që kanë nevojë urgjente për ndihmë”.
Në një deklaratë për gazetën The Guardian, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmoi se vizat janë pezulluar dhe se do të duhet kohë për të bërë një shqyrtim të plotë dhe të thelluar.
“Ka shumë vende në botë me spitale të shkëlqyera që duhet të angazhohen për të ofruar ndihmë – për shembull Franca, Australia, Britania dhe Kanadaja”, tha ai.
Për momentin, një spital i zymtë në Egjipt është bërë shtëpia e fëmijëve, ku ata janë bllokuar në pritje që nga ndalimi i vizave.
Aty nuk kanë mjekë të caktuar për ta, dhe mungon ekspertiza e nevojshme për të trajtuar plagët e rënda të luftës.
Familjet jetojnë në dhoma të vogla, të nxehta dhe pa ajrim. Askush prej tyre nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas.
“Ndihemi të pafuqishëm”, thotë Khatib, teksa rri ulur pranë djalit të saj. “E vetmja gjë që mund të bëjmë është të lutemi që viza të miratohet përpara se të vijë vdekja”.