Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Instituti “Goethe” peng i politikës në Rusi

Instituti "Goethe"

“Të gjithë punonjësit duhet ta ndërpresin punën e tyre në Rusi që nga 13 shtatori 2026”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e Institutit “Goethe”, Gitte Zschoch, në një deklaratë

Ministria e Jashtme ruse urdhëroi mbylljen e qendrave kulturore gjermane në Moskë, Shën Petersburg dhe Novosibirsk, në përgjigje të reagimit të Berlinit ndaj sulmit të tentuar me dron në aeroportin e Leipzigut në fillim të gushtit. Sipas Institutit “Goethe”, rreth 10 mijë njerëz mësuan gjermanisht përmes programeve dhe partneriteteve të tij në vitin 2025. Para vitit 2023, ky numër ishte rreth 16 mijë. Instituti organizoi rreth 22 mijë provime, ndërsa bibliotekat e tij u vizituan nga 6 mijë e 700 njerëz në vitin 2025

Instituti “Goethe” i Gjermanisë pritet të mbyllë të gjitha degët e tij në Rusi deri të dielën në një prej përplasjeve më të rënda në historinë e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Gjermanisë.

Ministria e Jashtme ruse urdhëroi mbylljen e qendrave kulturore gjermane në Moskë, Shën Petersburg dhe Novosibirsk, në përgjigje të reagimit të Berlinit ndaj sulmit të tentuar me dron në aeroportin e Leipzigut në fillim të gushtit.

Në fillim të shtatorit, autoritetet gjermane e akuzuan Moskën për organizimin e sulmit dhe njoftuan sanksione, të cilat përfshinin mbylljen e qendrës ruse të kulturës dhe arsimit në Berlin, të njohur si Shtëpia Ruse, si dhe të Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bonn, krahas ashpërsimit të kufizimeve për vizat për shtetasit rusë.

“Të gjithë punonjësit duhet ta ndërpresin punën e tyre në Rusi që nga 13 shtatori 2026”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e Institutit “Goethe”, Gitte Zschoch, në një deklaratë. 

“Nuk mund të huazohen më libra nga bibliotekat tona dhe nuk mund të ofrohet më asnjë trajnim. Mësuesit e gjuhës gjermane po humbasin një burim të rëndësishëm për trajnimin dhe mbështetjen profesionale. Për njerëzit në Rusi, kjo e kufizon më tej qasjen në gjuhën dhe kulturën gjermane, si dhe në informacione të besueshme nga dhe për Gjermaninë”.

DW u kërkoi përdoruesve të saj në Rusi të ndajnë se si do të ndikojë personalisht tek ata mbyllja e Institutit “Goethe”. Përgjigjet e marra nuk përbëjnë një sondazh përfaqësues. Të gjithë përdoruesit i ndanë historitë e tyre në kushte anonimiteti. Autoritetet ruse e kanë cilësuar DW-në si “organizatë të padëshirueshme”, duke e bërë çdo bashkëpunim me kompaninë mediatike vepër penale.
Shumë lexues të DW-së kanë frikë se pas mbylljes së degëve të Institutit “Goethe”, ata ose të afërmit e tyre nuk do të mund të japin më në Rusi provimet për certifikatat e gjuhës gjermane të njohura ndërkombëtarisht.

Disa lexues vunë në dukje se mbyllja e Instituti “Goethe” në Rusi do t’i godasë veçanërisht rëndë gjermanët etnikë që dëshirojnë të zhvendosen sërish në Gjermani, ose të ashtuquajturit të riatdhesuar të vonshëm.

“Unë nuk jetoj më në Rusi, pasi kam emigruar si i riatdhesuar i vonshëm, por prindërit e mi janë ende në Rusi dhe kishin planifikuar t’i jepnin provimet në Institutin “Goethe” këtë vjeshtë ose dimër, përpara se të dorëzonin dokumentet për zhvendosje. Duket se do t’u duhet t’i japin provimet në një shtet tjetër, që do të thotë stres dhe shpenzime shtesë për ta”, ka thënë një lexues.

DW mori gjithashtu përgjigje nga prindër, fëmijët e të cilëve mësojnë gjermanisht dhe planifikojnë të vazhdojnë arsimimin e tyre në Gjermani.

“Djali im ndjek një shkollë gjermane dhe tani nuk do të mund ta japim provimin në Rusi. Do të na duhet të udhëtojmë në një shtet tjetër”, thuhej në një mesazh.

Mbetet e paqartë nëse provimet, kurset e gjuhës dhe programet arsimore do të vazhdojnë në Rusi në një format tjetër ose përmes organizatave partnere. Disa lexues shprehën shpresën se të paktën disa shërbime do të mbeten të disponueshme online.

Mbyllja e Institutit “Goethe” do të ndikojë jo vetëm tek ata që planifikojnë të zhvendosen në Gjermani ose të regjistrohen në një universitet gjerman. Një mësuese e gjuhës gjermane nga rajoni i Moskës i tha DW-së se shkolla e saj kishte bashkëpunuar me Instituti “Goethe” për më shumë se 15 vjet.

“Ky partneritet ishte një nga shtyllat më të rëndësishme të punës sonë. Instituti na mbështeste me materiale mësimore cilësore dhe na ofronte libra dhe botime moderne për jetën në Gjermani, duke na ndihmuar t’i bënim mësimet interesante dhe të përshtatshme me kohën. Nxënësit tanë ndiqnin kurse shtesë dhe shumë prej tyre i kalonin me sukses provimet për certifikatat e Instituti “Goethe”, shkroi ajo.

“Jap gjermanisht dhe nuk mund të gjej punë në Rusi”, i tha një tjetër mësuese DW-së.

“Është e tmerrshme. Jam mësuese e gjuhës gjermane dhe ndihem profesionalisht e braktisur dhe e humbur”, shkroi një e tretë.

Pavarësisht kufizimeve të vendosura që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, kërkesa për shërbimet e Instituti “Goethe” ka mbetur e lartë. Sipas Institutit “Goethe”, rreth 10 mijë njerëz mësuan gjermanisht përmes programeve dhe partneriteteve të tij në vitin 2025. Para vitit 2023, ky numër ishte rreth 16 mijë. Instituti organizoi rreth 22 mijë provime, ndërsa bibliotekat e tij u vizituan nga 6 mijë e 700 njerëz në vitin 2025.

Shumë lexues e perceptojnë atë që po ndodh si një tjetër fazë në shkatërrimin e lidhjeve mes Rusisë dhe Gjermanisë.

“Do të donim që marrëdhëniet kulturore mes Federatës Ruse dhe Gjermanisë të mos shkatërroheshin”, u përgjigj një përdorues i DW-së. “Është e trishtueshme të kuptosh se kultura është bërë peng i vendimeve politike. Mbyllja e Institutit “Goethe” do të ndikojë te njerëzit që nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë te politikanët.”

Disa lexues të DW-së nga Rusia tërhoqën veçanërisht vëmendjen te përgjegjësia e politikanëve. Një lexues e quajti vendimin për mbylljen e instituteve një tjetër hap drejt izolimit të vendit dhe pyeti se përse pasojat e tij prekin qytetarët e zakonshëm dhe jo politikanët rusë që marrin vendime të tilla.

“Pse njerëzit që marrin vendime për ta izoluar Rusinë nga Evropa mund t’u sigurojnë njëkohësisht fëmijëve dhe të afërmve të tyre të ngushtë një arsim evropian dhe një mënyrë jetese evropiane?”, pyeti një përdorues i DW-së, duke propozuar ndalimin e arsimimit të fëmijëve dhe të afërmve të ngushtë të anëtarëve të udhëheqjes së lartë ruse në universitetet e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Një pjesë e audiencës e konsideroi të pritshëm vendimin e Moskës.

“Mbyllja e degëve duket si një përgjigje logjike ndaj mbylljes së Shtëpisë Ruse në Gjermani. A mund të ishte ndryshe? Është për të ardhur keq që lidhjet kulturore dhe humanitare mes vendeve po bëhen pengje të politikës”, shkroi një lexues.