Aleatët evropianë kanë dalë sërish në mbështetje të Ukrainës, duke insistuar se çfarëdo diskutimi për paqe me Rusinë, duhet patjetër ta përfshijë Kievin.
“Rruga për paqe në Ukrainë, nuk mund të vendoset pa Ukrainën”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Finlandës dhe Komisionit Evropian.
Deklarata e tyre vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për takim me homologun rus, Vladimir Putin në Alaskë të premten që po vjen, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
I shqetësuar se nuk do të ftohet në takime për paqe në shtetin e tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se çfarëdo marrëveshje pa Kievin do të nënkuptonte “vendime të vdekura”.
Të shtunën vonë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Trumpi është i hapur për takim trilateral, por tash për tash mbetet vetëm me Putinin, si kërkesë e liderit rus.
Trump më herët qe shprehur se do të takohej vetëm me Putinin sepse “planifikon t’ia nisë me Rusinë”. Por ai pati dhënë shpresa për takim tripalësh.
Duke folur të premten, vetë Trumpi sugjeroi se mund të ketë “shkëmbime territoresh” për të arritur paqen Moskë-Kiev, por kjo u refuzua fuqishëm nga Zelensky.
Zelensky vlerëson deklaratën e udhëheqësve evropianë për Ukrainën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë të dielën se Kievi "vlerëson dhe mbështet plotësisht" një deklaratë të përbashkët nga udhëheqësit evropianë mbi arritjen e paqes në Ukrainë, duke mbrojtur interesat ukrainase dhe evropiane”.
Udhëheqësit francezë, italianë, gjermanë, polakë, britanikë, finlandezë dhe të Komisionit Evropian të shtunën përshëndetën përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t'i dhënë fund luftës, por theksuan nevojën për të ushtruar presion mbi Rusinë dhe për të ofruar garanci sigurie për Kievin, raporton Reuters.
"Fundi i luftës duhet të jetë i drejtë dhe jam mirënjohës për të gjithë ata që qëndrojnë me Ukrainën dhe popullin tonë sot për hir të paqes në Ukrainë, e cila po mbron interesat jetësore të sigurisë së kombeve tona evropiane", ka shkruar Zelensky në X.
"Ukraina vlerëson dhe mbështet plotësisht deklaratën e presidentit Macron, kyeministres Meloni, kancelarit Merz, kryeministrit Tusk, kryeministrit Starmer, presidentes Ursula von der Leyen dhe presidentit Stubb për paqen për Ukrainën”, thuhet më tej në deklaratën e tij.
Trumpi planifikon të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaska të premten. Ai ka folur për mundësinë e një marrëveshjeje që mund të zgjidhë konfliktin tre vjeçar e gjysmë.
Zelensky dhe aleatët e tij evropianë kanë paralajmëruar se çdo marrëveshje që i kërkon Ukrainës të dorëzojë pjesë të konsiderueshme të territorit të saj vetëm sa do të inkurajonte agresionin rus.