Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Afrika e Jugut refuzon ta sekuestrojë superjahtin e oligarkut të sanksionuar rus

Superjahti i oligarkut rus  - "The Nord"

Afrika e Jugut ka thënë se do të lejojë që të ankorojë në portin e Cape Town, superjahtin e një oligarku të sanksionuar rus, raporton BBC.

Jahti me vlerë 521 milionë dollarë, që i takon Alexei Mordashovit, aleatit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u nis nga Hong Kongu më herët këtë javë.

Liderët opozitarë të Afrikës së Jugut i kanë bërë thirrje Qeverisë që të sekuestrojë jahtin e gjatë 141 metra, të quajtur “The Nord”.

Por, një zëdhënës i presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka thënë se “nuk ka arsye” për t’iu përmbajtur sanksioneve të Perëndimit.

“Afrika e Jugut nuk ka obligim ligjor për t’iu përmbajtur sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Obligimet e Afrikës së Jugut për të respektuar sanksionet kufizohen te vetëm ato që janë vendosur nga Kombet e Bashkuara”, ka thënë Vincent Magwenya, duke shtuar se Mordashov nuk është nën sanksione të vendosura nga Kombet e Bashkuara.

Shtetet perëndimore dhe aleatët kanë sanksionuar më teprë se 1000 individë dhe biznese ruse në reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës.