Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

A po tërhiqet edhe Britania e Madhe në luftën ndaj Iranit?

Donald Trump dhe Keir Starmer

Foto: Associated Press

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duket se po përfshihet gjithnjë e më shumë në luftën e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Izraelit kundër Iranit, pasi po planifikon të dislokojë një anije luftarake britanike në bazën e saj ushtarake në Qipro, raportojnë mediat britanike.

Një zëdhënës i ministrisë britanike të Mbrojtjes ka kundërshtuar raportimet se HMS Duncan ishte vendosur në rajon.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohet SHBA-së dhe Izraelit në ndonjë veprim ofensiv. Megjithatë, po shtohen shqetësimet se Britania mund të tërhiqet në një tjetër konflikt të stilit të Irakut, pasi interesat britanike po bëhen objektiv i drejtpërdrejtë.

Të hënën, një dron u rrëzua në pistën e RAF Akrotiri në Qipro, një qendër kyç për operacionet ajrore të Mbretërisë së Bashkuar në Lindjen e Mesme, që besohet të jetë sulmi i parë ndaj kësaj baze britanike që nga viti 1986.

Dy dronë të tjerë që po drejtoheshin drejt RAF Akrotiri të hënën në mëngjes u penguan, sipas një zëdhënësi të qeverisë qipriote.

Starmer ka lejuar SHBA-në të përdorë bazat britanike për sulme “mbrojtëse” ndaj vendeve iraniane të raketave, duke thënë se kjo është e nevojshme për “vetëmbrojtjen kolektive” të aleatëve dhe për mbrojtjen e jetëve britanike.

Në mesin e publikut britanik, përfshirja në konflikt mbetet jopopullore, teksa disa deputetë të Partisë Laburiste paralajmërojnë se qeveria po përsërit gabimet e së kaluarës. 

Edhe Britania refuzon t’i bashkohet bllokadës së Trumpit ndaj Iranit në Ngushticën e Hormuzit Botë Britania refuzon t’i bashkohet bllokadës së Trumpit ndaj Iranit në Ngushticën e Hormuzit

“Unë thjesht mendoj se po tërhiqemi brenda, ashtu siç ndodhi në Irak, duke ndjekur SHBA-në në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme,” i ka thënë BBC-së deputeti laburist John McDonnell.

Partia Liberal Demokrate po kërkon një votim parlamentar për këtë çështje, ndërsa lideri i saj Ed Davey e quajti këtë lëvizje një “rrëshqitje të rrezikshme”.

Një zëdhënës i Downing Street të martën këshilloi që të shmangen spekulimet mbi lëvizjet apo operacionet ushtarake, duke u thënë gazetarëve: “Ne e mbajmë nën shqyrtim të vazhdueshëm kapacitetin tonë aktual në rajon".

Lexo përditësimet tjera
Bejrut

Izraeli bombardon Bejrutin e Teheranin, nis ofensivë tokësore në Liban

Izraeli ka nisur një valë të re të bombardimeve në Teheran dhe Bejrut, në ditën e...