Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britania po heton një lidhje të mundshme me Iranin pas arrestimeve pranë bazës amerikane

Britani policia, policia britanike

Foto: Associated Press

Policia britanike po mban të arrestuar pesë burra dhe po ekzaminon eksplozivë të dyshuar të gjetur pranë një baze ajrore të operuar nga SHBA-ja në Angli, ndërsa hetuesit kundër terrorizmit po shqyrtojnë nëse arrestimet kishin parandaluar një sulm të mundshëm të lidhur me Iranin.

Pesë burrat janë arrestuar herët të dielën, pasi tre furgonë u vunë re pranë bazës ajrore RAF Fairford, një bazë në pronësi të Mbretërisë së Bashkuar, por e operuar nga Forcat Ajrore të SHBA-së, e cila është përdorur nga bombarduesit amerikanë gjatë dekadave të konflikteve në Lindjen e Mesme.

Pesë burrat, identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike, fillimisht janë arrestuar nën dyshimin për vepra penale që lidhen me eksplozivët, ndërsa më vonë u bë e ditur se ata po mbahen edhe nën dyshimin se po përgatitnin një akt terrorizmi. Policia mund t’i mbajë ata deri në 14 ditë, përpara se t’i akuzojë ose t’i lirojë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se të dyshuarit ishin arrestuar pas bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Britanisë dhe se ata ishin “nën vëzhgim” prej disa kohësh. Megjithatë, policia ka thënë se arrestimet janë kryer pas një telefonate në orët e para të së dielës për “automjete të dyshimta” pranë bazës.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, nuk ka pranuar të jepte detaje për operacionin, por ka thënë se “ishte një moment krenarie” që Trumpi kishte vlerësuar “punën që policia dhe shërbimet tona të inteligjencës bëjnë çdo ditë”.

“Kur dhe nëse të jetë e mundur, do ta informojmë publikun për këta persona dhe për natyrën e kërcënimit”, ka thënë Streeting për Times Radio.

Hetuesit ende nuk kanë arritur në përfundimin nëse incidenti ishte një sulm i mbështetur nga një shtet, por po hetojnë një lidhje të mundshme me Iranin.

Arrestimet vijnë në një kohë tensionesh të shtuara lidhur me kërcënimin nga shtetet armiqësore, ndërsa shërbimet britanike të inteligjencës kanë thënë se Rusia dhe Irani kanë përdorur të dyja ndërmjetësues për të kryer vepra penale në territorin britanik.

Britania nuk i është bashkuar luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila ka nisur më 28 shkurt, dhe fillimisht e ka refuzuar kërkesën e Trumpit për të përdorur bazat në Mbretërinë e Bashkuar për të goditur Iranin.

Por kryeministri i atëhershëm, Keir Starmer, ka rënë dakord në mars që SHBA-ja të përdorte bazat në Britani për ato që ai i ka quajtur operacione “mbrojtëse” kundër raketave të Iranit dhe vendeve të lëshimit të tyre, pas sulmeve iraniane ndaj interesave britanike dhe aleatëve të Britanisë në Gjirin Persik.

Bombarduesit amerikanë B-1 dhe B-52 janë ngritur nga Fairfordi, 160 kilometra në perëndim të Londrës, për të kryer operacione gjatë konfliktit me Iranin.