Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli bombardon Bejrutin e Teheranin, nis ofensivë tokësore në Liban

Bejrut

Bejrut, Liban

Izraeli ka nisur një valë të re të bombardimeve në Teheran dhe Bejrut, në ditën e katërt të sulmit ndaj Iranit.

Po të martën, Izraeli ka nisur ofensivë tokësore në Liban.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Amerikë në Riad është goditur nga dy dronë të Iranit në kundërpërgjigje. Sipas Iranit, edhe një objekt i bazës ajrore amerikane në Bahrejn është shkatërruar.

Një zyrtar i lartë iranian ka kërcënuar me hedhjen në erë të çdo anije që tenton të kalojë nëpërmjet Ngushticës së Hurmuzit – rrugë kyçe për naftë dhe gaz.

Në anën tjetër, sekretari i Shtetit amerikan, Marcio Rubio, ka paralajmëruar se goditja më e madhe ende nuk ka ardhur. Ai foli pak pasi presidenti Donald Trump i cilësoi goditjet si shansin më të mirë për të eliminuar kërcënimet nga Teherani.

Gjashtë zyrtarë amerikanë kanë humbur jetën që kur nisën luftimet.

Izraeli thotë se ka vrarë edhe një komandant iranian

1 j. më parë / 3 mar 2026 23:20
Iran

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se kanë vrarë komandantin e Forcës Quds të Iranit në Liban, Daoud Ali Zadeh, gjatë një sulmi në Teheran.

Zadeh ishte "komandanti iranian me gradën më të lartë përgjegjës për Libanin", thonë Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

"Izraeli nuk do të lejojë që elementët iranianë që pengojnë rimëkëmbjen e Libanit dhe forcojnë Hezbollahun të vendosen në Liban. Ai u përpoq të sulmonte Izraelin nga territori libanez, dhe ne e goditëm dhe e eliminuam atë në tokën iraniane", kanë thënë nga IDF.

Zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, ka konfirmuar tutje se avionët luftarakë goditën në mes të Teheranit teksa synuan vrasjen e komandatit të Forcës Quds të Irani.

"Avionët luftarakë goditën në zemër të Teheranit, duke synuar Daoud Ali Zadeh, një zyrtar të lartë në Forcën Quds dhe komandant të Korpusit të Libanit", thotë zëdhënësi i IDF-së, Effie Defrin.

Forca Quds është një nga degët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Shefi i agjencisë bërthamore: S’ka asnjë provë se Irani po ndërtonte armë bërthamore

1 j. më parë / 3 mar 2026 22:15
Rafael Grossi

Photo: Associated Press

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se pikëpamja e tyre përputhet me atë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) lidhur me programin bërthamor të Iranit, ka raportuar SkyNews. Megjithatë kjo media ka raportuar tutje se kjo është kundërshtuar pjesërisht nga shefi i Agjencisë. 

Shefi i IAEA, Rafael Mariano Grossi, ka thënë se derisa nuk ka pasur prova se Irani po ndërtonte një bombë bërthamore po ashtu ekipit të tij nuk i është dhënë qasje në programin bërthamor, e kjo sipas tij ka qenë  shqetësim serioz. 

“Kam qenë shumë i qartë dhe konsistent në raportet e mia mbi programin bërthamor të Iranit: ndërsa nuk ka pasur prova se Irani po ndërton një bombë bërthamore, rezervat e tij të mëdha të uraniumit të pasuruar pothuajse të nivelit të armëve dhe refuzimi për t'u dhënë inspektorëve të mi qasje të plotë janë shkak për shqetësim serioz. Për këto arsye, raportet e mia të mëparshme tregojnë se nëse dhe derisa Irani të ndihmojë IAEA-në në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura të mbrojtjes, agjencia nuk do të jetë në gjendje të ofrojë siguri se programi bërthamor i Iranit është ekskluzivisht paqësor”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, SkyNews ka përfshirë raportimin e një prej gazetarëve të medias i cili ka përcjellë deklaratën e Grossit. 

“Irani mund të ketë qenë ditë apo javë larg nga një armë nëse ata do të përpiqeshin për këtë. Dhe ata kishin të gjithë kapacitetin për ta përmbushur këtë”, ka cituar gazetari Mark Stone – Grossin. 
 

Trump: Marina amerikane do të shoqërojë cisternat e Hormuzit nëse është e nevojshme

1 j. më parë / 3 mar 2026 21:23
SHBA

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se "nëse është e nevojshme, Marina e Shteteve të Bashkuara do të fillojë shoqërimin e cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit, sa më shpejt të jetë e mundur".

Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka ndaluar pothuajse tërësisht trafikun detar që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit.

Është një nga rrugët më të rëndësishme në botë për furnizimet globale me naftë dhe gaz, me pothuajse 20 milionë fuçi naftë që kalojnë në ditë.

Trumpi ka thënë po ashtu se ai ka udhëzuar një agjenci federale të ofrojë "sigurim kundër rrezikut politik dhe garanci për të gjithë tregtinë detare" përmes Gjirit.

"Pavarësisht gjithçkaje, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë rrjedhën e lirë të energjisë në botë”, ka thënë Trumpi.

Një zyrtar iranian ka deklaruar të hënën se Irani do t'i "vërë flakën kujtdo që përpiqet të kalojë" nëpër Ngushticën e Hormuzit, ngushticë nëpër të cilën kalon një e pesta e naftit dhe gazit në botë.

Paralajmërimi ka ardhur nga Ebrahim Jabbari, një këshilltar i Komandantit të Përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, duke folur në televizionin shtetëror.

Ai ka shtuar se ngushtica është e mbyllur dhe ka paralajmëruar anijet se do të përballen me përgjigje serioze nëse vijnë tek kjo ngushticë.

"Ata nuk duhet të vijnë në këtë rajon. Ata me siguri do të përballen me një përgjigje serioze nga ne", ka thënë ai.

Spanja i përgjigjet Trumpit pas kërcënimit për ndërprerje të tregtisë

1 j. më parë / 3 mar 2026 20:28
Foto: Reuters

Spanja i është përgjigjur kërcënimeve të presidentit amerikan për ndërprerje të marrëdhënieve tregtare me Madridin. 

Një burim nga qeveria spanjolle ka thënë se nëse Washingtoni dëshiron ta shqyrtojë marrëdhënien tregtare me Spanjën “duhet ta bëjë këtë përderisa respekton autonominë e kompanive private, ligjshmërinë ndërkombëtare dhe marrëveshjet bilaterale mes BE-së dhe SHBA-së”. 

Madridi ka thënë se sulmet janë një “intervenim i pajustifikueshëm dhe i rrezikshëm”. 

“Spanja ka qenë e tmerrshme”, ka thënë Donald Trump të martën duke iu referuar refuzimit të qeverisë së Pedro Sanchezit për ta lejuar SHBA-në të përdorë bazat ushtarake për ta goditur Iranin. 

Trumpi ka deklaruar të martën se: “Do ta ndërpresim gjithë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi  asgjë me Spanjën”.

Trump kërcënon Spanjën me ndërprerje të tregtisë: Nëse ka nevojë do t’i përdorë bazat edhe pa leje

1 j. më parë / 3 mar 2026 19:28
Donald Trump

Presidenti Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do t’i ndërpresin marrëdhëniet tregtare me Spanjën.

“Do ta ndërpresim gjithë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi asgjë me Spanjën”, u tha ai gazetarëve të martën, teksa ndodhej në Zyrën Ovale gjatë një takimi me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Trump shtoi se i ka kërkuar sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të ndërpresë “të gjitha bizneset” me vendin evropian dhe anëtarin e NATO-s.

“Spanja ishte e tmerrshme”, ka thënë ai, duke iu referuar reagimit të vendeve të NATO-s ndaj sulmit amerikan me raketa ndaj Iranit.

Presidenti amerikan u shpreh se nëse duan t’i përdorin bazat në Spanjë për sulm ndaj Iranit nuk do të mund t’i ndalte askush. Por shtoi se nuk kanë nevojë për to.

“Spanja në thelb tha se nuk mund t’i përdornim bazat e tyre. Ata ishin armiqësorë. Spanja nuk ka absolutisht asgjë që na duhet, përveç njerëzve të mrekullueshëm. Kanë njerëz të mrekullueshëm, por nuk kanë udhëheqje të mirë. Spanja na tha se nuk mund t'i përdorim bazat e tyre. Në rregull, nuk kemi nevojë për to. Megjithatë, nëse duam, mund të zbarkojmë atje dhe t'i përdorim. Askush nuk do të na thotë se nuk mund t'i përdorim”, deklaroi Trump.

Spanja ka mohuar se i ka dhënë SHBA-së qasje në bazat e saj ajrore për “çfarëdo që nuk mbulohet nga marrëveshja ose që nuk është në përputhje me Kartën e OKB-së”, sipas transmetuesit shtetëror spanjoll RTVE.

Të paktën 15 aeroplanë amerikanë janë larguar nga bazat ushtarake Rota dhe Moron në jug të Spanjës që nga nisja e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit gjatë fundjavës, sipas të dhënave dhe hartave nga faqja për gjurmimin e fluturimeve FlightRadar24.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, deklaroi se Spanja nuk do të lejojë që bazat e saj ushtarake të përdoren për sulme ndaj Iranit.

Bazat menaxhohen bashkërisht nga SHBA-ja dhe Spanja, por janë nën sovranitetin spanjoll.

Trump: Çmimi i naftës do të bjerë edhe më poshtë se që ishte pas operacionit në Iran

1 j. më parë / 3 mar 2026 19:13
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se çmimet e naftës mund të mbeten të larta ndërsa sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit vazhdojnë, gjë për të cilën kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, paralajmëron se është “e dëmshme për ekonomitë tona”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se sapo të përfundojë situata në Iran, çmimet e naftës do të bien, e sipas tij, më poshtë sesa ishin më parë, raporton Anadolu Agency.

“Nëse kemi çmime pak më të larta të naftës për një kohë të shkurtër, por sapo kjo të përfundojë, ato çmime do të bien, besoj, madje më poshtë se më parë”, ka deklaruar presidenti Trump.

Por, kancelari gjerman, Merz, ka përsëritur se shpreson që luftimet të përfundojnë sa më shpejt në Iran sepse çmimet e naftës, e dëmtojnë ekonominë e tyre.

“Kjo, sigurisht, po i dëmton ekonomitë tona. Kjo është e vërtetë për çmimet e naftës, dhe kjo është e vërtetë edhe për çmimet e gazit. Kjo është arsyeja pse ne të gjithë shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur” ka deklaruar kancelari gjerman Merz.

Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm teksa Irani vazhdon sulmet në Lindjen e Mesme, në përgjigje të ofensivës së vazhdueshme nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Nafta Brent, u rrit për 10 për qind, duke arritur në mbi 82 dollarë për fuçi të hënën, pasi të paktën tri anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës. Çmimet e gazit natyror u rritën deri në 25 për qind.

Trumpi thotë se gjithçka është shkatërruar në Iran, kritikon Britaninë e Spanjën

1 j. më parë / 3 mar 2026 18:04
Donald Trump dhe Friedrich Merz

Donald Trump dhe Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të martën se “pothuajse gjithçka është shkatërruar në Iran”.

Trumpi e ka bërë deklaratën gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Presidenti amerikan, po ashtu ka folur për marrëdhënien e tij me Gjermaninë, e cila thotë se ndan një "afinitet të madh" me SHBA-në.

Ndërkaq, sa i përket Iranit, ai ka thënë se ky vend tani nuk ka marinë apo forcë ajrore.

"Pothuajse gjithçka është shkatërruar", është shprehur Trumpi. 

Ndërkaq, lidhur me pyetjen e një gazetari se nëse Izraeli e ka detyruar atë të ndërhyjë në lidhje me Iranin, Trumpi ka thënë se ka ndodhur pikërisht e kundërta.

"Jo, mund t'a kem detyruar unë", është përgjigjur ai.

"Ne po zhvillonim negociata me këta të çmendur dhe mendimi im ishte se ata do të sulmonin të parët. Nuk doja që kjo të ndodhte", është shprehur presidenti amerikan. 

"Pra, mund ta kem detyruar Izraelin të ndërhyjë. Mendoj se ata u habitën, unë u habita dhe tani të gjitha këto vende po luftojnë kundër tyre", ka deklaruar Trumpi. 

Trumpi është pyetur edhe lidhur përgjigjen e aleatëve të tjerë të SHBA-së për operacionin ndaj Iranit.
Ai ka theksuar se është veçanërisht i pakënaqur me Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën.

Trump ka thënë gjënë më të ashpër deri më tani në lidhje me Sir Keir Starmer.

"Nuk kemi të bëjmë me Winston Churchill”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se "nuk ishte i kënaqur me Mbretërinë e Bashkuar" për shkak të refuzimit fillestar nga Londra për të lejuar Uashingtonin të përdorë bazën britanike në Diego Garcia në Oqeanin Indian gjatë sulmeve të para ndaj Iranit.

SHBA-ja mbyll ambasadën në Bejrut

1 j. më parë / 3 mar 2026 17:53
Bejrut

Photo: Associated Press

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, thotë se "do të jetë e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm".

"Të gjitha takimet e tjera të rregullta dhe emergjente konsullore janë anuluar", ka njoftuar ajo, duke shtuar se do të japë një përditësim kur ambasada të rihapet.

Bejruti dhe pjesë të Libanit jugor janë goditur nga sulmet izraelite ditët e fundit. Izraeli thotë se kjo është në përgjigje të sulmeve nga grupi militant Hezbollah me bazë në Liban, i mbështetur nga Irani.

Vendimi vjen pas mbylljes nga SHBA-ja të ambasadës së saj në Kuvajt deri në një njoftim të mëtejshëm dhe misionit të saj diplomatik në Riad, Arabi Saudite, pasi u godit nga një dron. 

SHBA-ja gjithashtu ka evakuuar ambasadën jordaneze dje pasi u dëgjuan shpërthime aty pranë.

A po tërhiqet edhe Britania e Madhe në luftën ndaj Iranit?

1 j. më parë / 3 mar 2026 17:45
Donald Trump dhe Keir Starmer

Photo: Associated Press

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duket se po përfshihet gjithnjë e më shumë në luftën e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Izraelit kundër Iranit, pasi po planifikon të dislokojë një anije luftarake britanike në bazën e saj ushtarake në Qipro, raportojnë mediat britanike.

Një zëdhënës i ministrisë britanike të Mbrojtjes ka kundërshtuar raportimet se HMS Duncan ishte vendosur në rajon.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohet SHBA-së dhe Izraelit në ndonjë veprim ofensiv. Megjithatë, po shtohen shqetësimet se Britania mund të tërhiqet në një tjetër konflikt të stilit të Irakut, pasi interesat britanike po bëhen objektiv i drejtpërdrejtë.

Të hënën, një dron u rrëzua në pistën e RAF Akrotiri në Qipro, një qendër kyç për operacionet ajrore të Mbretërisë së Bashkuar në Lindjen e Mesme, që besohet të jetë sulmi i parë ndaj kësaj baze britanike që nga viti 1986.

Dy dronë të tjerë që po drejtoheshin drejt RAF Akrotiri të hënën në mëngjes u penguan, sipas një zëdhënësi të qeverisë qipriote.

Starmer ka lejuar SHBA-në të përdorë bazat britanike për sulme “mbrojtëse” ndaj vendeve iraniane të raketave, duke thënë se kjo është e nevojshme për “vetëmbrojtjen kolektive” të aleatëve dhe për mbrojtjen e jetëve britanike.

Në mesin e publikut britanik, përfshirja në konflikt mbetet jopopullore, teksa disa deputetë të Partisë Laburiste paralajmërojnë se qeveria po përsërit gabimet e së kaluarës. 

“Unë thjesht mendoj se po tërhiqemi brenda, ashtu siç ndodhi në Irak, duke ndjekur SHBA-në në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme,” i ka thënë BBC-së deputeti laburist John McDonnell.

Partia Liberal Demokrate po kërkon një votim parlamentar për këtë çështje, ndërsa lideri i saj Ed Davey e quajti këtë lëvizje një “rrëshqitje të rrezikshme”.

Një zëdhënës i Downing Street të martën këshilloi që të shmangen spekulimet mbi lëvizjet apo operacionet ushtarake, duke u thënë gazetarëve: “Ne e mbajmë nën shqyrtim të vazhdueshëm kapacitetin tonë aktual në rajon".

SHBA-ja e përdori për herë të parë në Iran dronin luftarak kamikaz “LUCAS”

1 j. më parë / 3 mar 2026 17:16
Droni Lucas

Zyrtarët e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) kanë konfirmuar se sulmet ajrore të ndërmarra ndaj Iranit të shtunën përfshinë përdorimin e parë në luftim të dronit të ri autonom kamikaz të ushtrisë amerikane.

Droni luftarak pa pilot me kosto të ulët (Low-cost Unmanned Combat Attack System – LUCAS) u përdor si pjesë e Operacionit “Epic Fury”, i cili synoi objektet e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike.

Platforma “LUCAS” është një dron sulmues njëdrejtimësh (kamikaz) i zhvilluar duke u bazuar në modelin e dronit iranian Shahed-136.

I ndërtuar nga kompania SpektreWorks me bazë në Arizona, është një variant i modelit FLM 136 i projektuar për stërvitje kundërdronësh duke simuluar variantin iranian Shahed.

VIDEO:


Modeli FLM 136 ka një rreze veprimi rreth 800 kilometra dhe një kapacitet maksimal ngarkese prej 18 kilogramësh, ose “afërsisht dyfishin e fuqisë shpërthyese të një rakete Hellfire”, sipas Alex Hollings, drejtues i emisionit FirePower të Sandboxx News.

Me një peshë maksimale ngritjeje prej 81.5 kilogramë, FLM 136 është dukshëm më i lehtë se Shahedi iranian. Këto platforma janë gjithashtu shumë më ekonomike krahasuar me municionet më të avancuara në arsenalin amerikan, me një kosto prej rreth 35,000 dollarësh për njësi.

Një dron “LUCAS” u lëshua me sukses nga një anije për herë të parë në dhjetor, kur personeli në bordin e anijes luftarake bregdetare të klasit Independence, USS Santa Barbara, zhvilloi një stërvitje në Gjirin Arabik, sipas njoftimit të mëparshëm të Departamentit të Mbrojtjes.

Krijimi i task-forcës në dhjetor pasoi një direktivë disa muaj më parë nga sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, të titulluar “Çlirimi i Dominimit të Dronëve Ushtarakë të SHBA-së”, për të përshpejtuar blerjen dhe vendosjen e sistemeve të përballueshme në të gjitha degët e ushtrisë.

“Për të simuluar fushëbetejën moderne, oficerët e lartë duhet të kapërcejnë instinktin e burokracisë për shmangien e rrezikut në gjithçka, nga buxhetimi te armatosja dhe stërvitja,” shkroi Hegseth në memorandumin e korrikut. 

“Vitin e ardhshëm pres ta shoh këtë kapacitet të integruar në të gjitha stërvitjet përkatëse luftarake, përfshirë përballjet mes forcave me luftëra dronësh.”


 

SHBA-së i kushtoi rreth 800 milionë dollarë ofensiva ndaj Iranit në ditën e parë

1 j. më parë / 3 mar 2026 17:10
Iran

Forcat amerikane shpenzuan rreth 800 milionë dollarë, ose afërsisht 0.1% të buxhetit të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2026, gjatë 24 orëve të para të ofensivës kundër Iranit, sipas vlerësimeve dhe të dhënave të përpiluara nga “Anadolu Agency”.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se dislokimi masiv përfshinte bombarduesit stealth B-2, avionët luftarakë F-22, F-35 dhe F-16, avionët sulmues A-10, si dhe avionët për luftë elektronike EA-18G. Operacioni përdori gjithashtu dronë MQ-9 Reaper, aeroplanmbajtëse me energji bërthamore si dhe sistemet e mbrojtjes raketore Patriot dhe THAAD.

Katër bombardues B-2, që fluturuan pa ndalesë nga baza ajrore Whiteman në shtetin amerikan të Missourit, goditën objektiva duke përdorur municion 907 kilogramësh. Të njohur për kërkesa të larta mirëmbajtjeje dhe kapacitet ngarkese deri në 18,143 kilogramë, operacionet vetëm me B-2 llogaritet të kenë kushtuar rreth 30.2 milionë dollarë, bazuar në orët e fluturimit, kostot e mirëmbajtjes dhe shpenzimet për municion.

Sipas një postimi të CENTCOM-it në “X”, formacioni i avionëve luftarakë F-18, F-16, F-22 dhe F-35 kontribuoi në goditjet fillestare. Duke u bazuar në të dhënat për orët e fluturimit, mirëmbajtjen dhe municionin nga kërkesat buxhetore të viteve 2025 dhe 2026, këto misione llogaritet të kenë kushtuar rreth 271.3 milionë dollarë.

Avionët e specializuar, përfshirë EA-18G Growler, A-10C Thunderbolt dhe dronët MQ-9 Reaper, luajtën rol kyç së bashku me sistemin e sulmit pa pilot (LUCAS). Kur përfshihen edhe avionët patrullues detarë P-8, avionët zbulues RC-135 dhe cisternat ajrore për furnizim me karburant, si dhe bateritë tokësore HIMARS, kostoja e kombinuar e mjeteve ajrore dhe tokësore, përfshirë avionët luftarakë, arriti në rreth 423.5 milionë dollarë.

Dy grupet amerikane të aeroplanmbajtëseve në rajon, USS Abraham Lincoln dhe USS Gerald R. Ford, morën gjithashtu pjesë në sulm. Kostoja e operimit të aeroplanmbajtëseve, së bashku me shkatërruesit dhe anijet luftarake bregdetare që i shoqëronin, vlerësohet në rreth 15 milionë dollarë në ditë.

Për më tepër, CENTCOM-i publikoi video që tregonin marinën amerikane duke lëshuar dhjetëra raketa lundruese Tomahawk. Edhe pse numri i saktë mbetet i klasifikuar, vlerësohet se janë lëshuar rreth 200 raketa Tomahawk, me një kosto totale prej rreth 340.4 milionë dollarësh vetëm për municionin.

Duke i kombinuar të gjitha këto shpenzime, kostoja totale e vlerësuar e sulmeve amerikane të kryera vetëm të shtunën arrin në 779.1 milionë dollarë, ose rreth 0.1% e buxhetit të mbrojtjes së SHBA-së për vitin 2026.

Izraeli sulmon me raketa Asamblenë që po e zgjidhte pasardhësin e Khameneit

1 j. më parë / 3 mar 2026 16:57
Iran

Sulme ajrore të përbashkëta goditën ndërtesën e Këshillit të Ekspertëve të Iranit në qytetin e Qomit, pikërisht në momentin kur ky organ po mbante mbledhje për zgjedhjen e udhëheqësit të ri suprem të Iranit.

Një zyrtar izraelit e konfirmoi goditjen për “Fox News”, duke theksuar se objektivi kryesor i sulmit ishte këshilli drejtues përgjegjës për përzgjedhjen e pasardhësit të Ali Khameneit, i vrarë nga sulmet izraelito-amerikane.

Izraeli kreu një goditje të drejtpërdrejtë pikërisht gjatë numërimit të votave.

Edhe pse jo të gjithë anëtarët e Këshillit ndodheshin në ndërtesë në kohën e sulmit, kjo goditje konsiderohet si një nga goditjet më serioze ndaj majës së sistemit politik dhe fetar iranian.

Agjencia iraniane e lajmeve Mehr News Agency konfirmoi se ndërtesa e Këshillit të Ekspertëve në Qom është goditur.

Ky organ ka rol ekskluziv për të mbikëqyrur, zgjedhur dhe, nëse është e nevojshme, zëvendësuar liderin suprem, çka e bën një nga institucionet më të rëndësishme në vend.

Në raportimin e saj, Mehr thekson se bëhet fjalë për një sulm të përbashkët SHBA–Izrael. Përveç sulmit në Qom, e njëjta agjenci njoftoi në një deklaratë të veçantë se janë regjistruar edhe sulme ajrore në kryeqytet.

VIDEO:

Izraeli përfundon një valë të gjerë sulmesh ndaj infrastrukturës së Iranit

1 j. më parë / 3 mar 2026 16:49
Iran, sulmet

Photo: Associated Press

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se vala e tyre e sulmeve në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës iraniane në Teheran, për të cilën është raportuar gjatë ditës, ka përfunduar.

Në një përditësim në aplikacionin e mesazheve Telegram, IDF-ja ka njoftuar se ka sulmuar infrastrukturën dhe "vendet e përdorura nga regjimi iranian për të prodhuar armë", duke thënë se kishte një "theks në vendet e prodhimit të raketave balistike".

Ndërsa këto sulme ishin në zhvillim e sipër, IDF-ja thotë se ka kryer sulme të njëkohshme në qytetin Isfahan të Iranit, i cili është afërsisht 435 km larg.

Këto sulme, thotë IDF-ja kanë synuar sistemet e raketave balistike, duke përfshirë lëshuesit dhe vendet e magazinimit të raketave të destinuara për përdorim kundër Izraelit.

Katari paralajmëron Iranin: Janë tejkaluar vijat e kuqe

1 j. më parë / 3 mar 2026 16:33
Majed Al-Ansari

Katari ka thënë të martën se “janë tejkaluar të gjitha vijat e kuqe”, nga sulmet iraniane në territorin e tij, dhe se goditjet ndaj sovranitetit të shtetit “nuk do të mbeteshin pa përgjigje”. 

"Sulmet ndaj sovranitetit tonë janë të vazhdueshme. Ka sulme ndaj infrastrukturës. Ka sulme ndaj zonave tona të banimit. Dhe efektet e këtyre sulmeve janë shumë të qarta. Dhe për këtë arsye, ne nuk supozojmë se ka më vija të kuqe për t'u kaluar kur sovraniteti ynë është shënjestruar në këtë mënyrë", u ka thënë gazetarëve Majed Al-Ansari, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Katarit, gjatë një takimi informues në Doha.

"Kur bëhet fjalë për hakmarrje të mundshme, siç thashë, të gjitha opsionet janë me udhëheqjen tonë", ka shtuar ai.

Irani ka goditur shumë vende të konsideruara si strehë të sigurta në Lindjen e Mesme, në hakmarrje për sulmet SHBA-Izrael në Teheran gjatë fundjavës që vranë udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Al-Ansari u ka thënë gazetarëve se ka pasur përpjekje nga Irani për të shënjestruar Aeroportin Ndërkombëtar Hamad, por "të gjitha u penguan dhe raketat u rrëzuan dhe asnjëra prej tyre nuk ka arritur në aeroport".

Al-Ansari ka shtuar se konflikti dhe shënjestrimi i infrastrukturës së naftës dhe gazit nga Irani është "një rrezik i madh për ekonominë ndërkombëtare".
Irani ka goditur objekte energjitike në Katar dhe Arabinë Saudite, dhe ka sulmuar disa anije në

Ngushticën e Hormuzit, grykëderdhjen e ngushtë të Gjirit Persik, përmes së cilës kalon një e pesta e të gjithë naftës së tregtuar, duke rritur çmimet globale të naftës dhe gazit natyror.

Intensiteti i sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit, vrasja e Khameneit dhe mungesa e ndonjë plani të dukshëm daljeje, përgatitën terrenin për një konflikt të zgjatur me pasoja të gjera.

Pa asnjë shenjë se konflikti do të zbutet së shpejti, presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka thënë se operacionet ka të ngjarë të zgjasin katër deri në pesë javë, por se ai ishte i përgatitur "të zgjasnin shumë më tepër se kaq".

Në një shenjë shqetësimi për potencialin e dhunës në rritje, Departamenti i Shtetit të hënën u ka kërkuar qytetarëve amerikanë të largohen nga dhjetëra vende të Lindjes së Mesme për shkak të rreziqeve të sigurisë.

Si mund të rrisë çmimet e ushqimeve konflikti në Lindjen e Mesme

1 j. më parë / 3 mar 2026 15:31
Ushqimi

Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar rritje të çmimeve të naftës dhe gazit, por mund të çojë gjithashtu në rendimente më të ulëta të të korrave dhe çmime më të larta të ushqimeve, nëse ajo vazhdon të ndikojë në transportin global.

Zgjatja e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit do të çonte në çmime më të larta globale të produkteve bazë si misri, gruri dhe orizi, sepse rruga ujore është jetike për transportimin e një të tretës së uresë në botë, një përbërës thelbësor në plehra, ka thënë për “World Business Express”, drejtori ekzekutiv i Yara, Svein Tore Holsether.

"Në disa të korra, mund të shihni ulje të rendimenteve deri në 50%”, ka deklaruar Holsether, i cili drejton kompaninë e dytë më të madhe të plehrave në botë.

Koha e mbylljes do të thotë që furnizimi me ure është i kufizuar në një kohë kur fermerët dhe kultivuesit po blejnë plehra për ta aplikuar atë në fusha, ka shtuar ai. 

Një zyrtar iranian ka thënë të hënën se Irani do t'i "vërë flakën kujtdo që përpiqet të kalojë" nëpër Ngushticën e Hormuzit, ngushticë nëpër të cilën kalon një e pesta e naftit dhe gazit në botë.

Paralajmërimi ka ardhur nga Ebrahim Jabbari, një këshilltar i Komandantit të Përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, duke folur në televizionin shtetëror.

Ai ka shtuar se ngushtica është e mbyllur dhe ka paralajmëruar anijet se do të përballen me përgjigje serioze nëse vijnë tek kjo ngushticë.

Trump: I thashë Iranit se është tepër vonë për të folur

1 j. më parë / 3 mar 2026 14:29
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë një përditësim të shkurtër në rrjetet sociale mbi luftën në Iran.

Duke iu përgjigjur një përdoruesi tjetër në Truth Social i cili ka thënë se sulmet amerikane kanë çuar në "lindjen e Doktrinës Trump", presidenti ka shkruar për Iranin se "Mbrojtja e tyre ajrore, Forcat Ajrore, Marina dhe Lidershipi kanë ikur. Ata duan të flasin. Unë thashë 'Tepër Vonë!'".

Presidenti amerikan ishte i pari që njoftoi se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ishte vrarë në sulme të shtunën, disa orë para se media shtetërore iraniane të konfirmonte vdekjen.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Trumpi ka thënë se sulmet ndoshta do të zgjasin katër deri në pesë javë, ndërsa sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio ka paralajmëruar se "goditjet më të rënda ende nuk kanë ardhur".

Zelensky u ofron ndihmë Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore

1 j. më parë / 3 mar 2026 13:24
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se i ka ofruar ndihmë Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore iraniane.

Ukraina ka fituar përvojë të konsiderueshme në kundërveprimin ndaj dronëve Shahed të prodhimit iranian, të cilët Rusia i ka përdorur pothuajse çdo ditë kundër objektivave ukrainase që nga fillimi i pushtimit më shumë se katër vjet më parë.

Zelensky tha në platformën X se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nahyan, dhe se kanë diskutuar se si mund të ndihmojnë për mbrojtjen e jetëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të dielën, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se ekspertët ukrainas dhe britanik do të bashkëpunojnë për të ndihmuar vendet e Lindjes së Mesme të rrëzojnë dronët iranianë.

Të paktën 787 persona të vrarë në Iran, prej kur SHBA-ja e Izraeli nisen sulmet

1 j. më parë / 3 mar 2026 11:14
Iran

Foto: Ilustrim

Photo: Associated Press

Të paktën 787 persona janë vrarë në Iran që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj vendit të shtunën, sipas shoqatës “Iran's Red Crescent”.

Ndërkohë, organizata me bazë në SHBA “Human Rights Activists in Iran”, raportin se 742 civilë kanë humbur jetën, përfshirë 176 fëmijë.

Fatemeh Mohammadbeigi, anëtare e Komisionit të Shëndetësisë në Parlamentin iranian, deklaroi të hënën se nëntë spitale janë shënjestruar në Iran, duke akuzuar Izraelin dhe SHBA-në se i kanë sulmuar ato.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) iu përgjigjën akuzave për shënjestrimin e Spitalit Gandhi në Teheran, duke thënë se sulmi “nuk kishte në shënjestër spitalin”.

Ministria e Jashtme e Iranit ka akuzuar sot si Izraelin ashtu edhe SHBA-në për shënjestrimin e të njëjtit spital.

Ish-shefi i CIA-s: Përfshirja e Evropës në luftën kundër Iranit, mundësi reale

1 j. më parë / 3 mar 2026 11:00
Iran

Photo: Associated Press

Pjesëmarrja e vendeve evropiane në operacionin ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit është mundësi reale, ka deklaruar ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) dhe gjenerali amerikan në pension David Petraeus, në një intervistë për Euronews.

Petraeusi ka thënë se përfshirja e Evropës, veçanërisht në kapacitet mbrojtës, “do të kishte qenë e mençur që nga fillimi”, megjithëse theksoi se fillimisht nuk ishte supozuar se vendet evropiane do t’i bashkoheshin operacionit.

“Sa kam kuptuar, kjo çështje është diskutuar,” u shpreh ai, duke iu referuar mundësisë që shtetet evropiane të marrin pjesë edhe në një rol më ofensiv. “Nuk e di nëse mund të parashikoj rezultatin, por fakti që po diskutohet tregon se sigurisht që është e mundur”.

Sipas Petraeusit, vendet evropiane mund të luajnë rol domethënës në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe kundër-raketore, sidomos pasi kundërpërgjigjja iraniane ka shkuar përtej Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

“Irani nuk do t’i kufizojë objektivat vetëm në bazat amerikane dhe Izraelin”, ka thënë ai, duke përmendur goditjet ndaj infrastrukturës civile, aeroporteve dhe porteve në shtetet fqinje të Gjirit, si dhe deri te bazat britanike në Qipro.

Megjithë shqetësimet për përshkallëzim të konfliktit në një luftë të zgjatur, Petraeus përjashtoi mundësinë e dislokimit të forcave tokësore amerikane në Iran.

“Mendoj se Presidenti dhe Sekretari (i Mbrojtjes, Pete Hegseth) kanë qenë shumë të qartë se nuk do të vendosim trupa në terren”, është shprehur më tej ai.

Izraeli godet institucionet e larta të Iranit

1 j. më parë / 3 mar 2026 10:56
Iran

Foto: Ilustrim

Photo: Associated Press

Ushtria izraelite tha të martën se ka goditur zyrën presidenciale të Iranit dhe ndërtesën e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të vendit.

Ajo bëri të ditur se sulmet ajrore ndodhën gjatë natës.

“Përveç kësaj, u shënjestrua vendi i mbledhjes së forumit më të lartë të regjimit, përgjegjës për vendimmarrjen në fushën e sigurisë, si dhe institucioni për trajnimin e oficerëve ushtarakë iranianë dhe infrastruktura të tjera kyçe të regjimit,” shtoi ajo.

Irani nuk i konfirmoi menjëherë sulmet.

Izraeli nis luftën tokësore në Liban

1 j. më parë / 3 mar 2026 09:02
Liban

Photo: Associated Press

Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore në Liban, duke shënuar përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme.

Israel Katz, ministri i mbrojtjes i Izraelit, ka thënë se trupat janë autorizuar “të avancojnë dhe të marrin kontrollin në disa pozita të caktuara” në Libanin jugor, ku vepron grupi iranian i Hezbollahut.

Një zëdhënës i Ushtrisë së Izraelit ka thënë se trupat janë dërguar “si pjesë e një pozicioni përforcues të mbrojtjes”.

“IDF-ja po punon të krijojë një shtresë shtesë të sigurisë për banorët në Izraelin verior”, ka thënë ky zëdhënës.

Izraeli shtoi bombardimet ndaj Hezbollahut në Liban të dielën, pas sulmit të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shtunën ndaj Iranit.

Ushtria e Izraelit ka thënë se njëherë nuk ka plane për ofensivë tokësore në Iran.

Trumpi kritikon Starmerin për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit

1 j. më parë / 3 mar 2026 09:00
trump starmer

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kritikuar kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer për rolin e tij në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.

“Nuk ka qenë ndihmues. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë ai për gazetën “The Sun”.

Në një intervistë telefonike, Trumpi ka deklaruar se “është shumë e trishtueshme të shohësh se marrëdhënia padyshim nuk është ajo që ka qenë”.

Të hënën, Starmer  tha se qeveria e tij “nuk beson në ndryshimin e regjimit nga ajri”.

Fillimisht, Mbretëria e Bashkuar nuk e lejoi SHBA-në të përdore bazat britanike për të sulmuar Iranin, por më pas i hapi bazat e saj për sulme “mbrojtëse” ndaj objekteve iraniane.

“Franca ka qenë e shkëlqyer. Të gjithë kanë qenë të shkëlqyer. Mbretëria e Bashkuar ka qenë shumë ndryshe nga të tjerët”, ka thënë ai.