Izraeli ka nisur një valë të re të bombardimeve në Teheran dhe Bejrut, në ditën e katërt të sulmit ndaj Iranit.
Po të martën, Izraeli ka nisur ofensivë tokësore në Liban.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Amerikë në Riad është goditur nga dy dronë të Iranit në kundërpërgjigje. Sipas Iranit, edhe një objekt i bazës ajrore amerikane në Bahrejn është shkatërruar.
Një zyrtar i lartë iranian ka kërcënuar me hedhjen në erë të çdo anije që tenton të kalojë nëpërmjet Ngushticës së Hurmuzit – rrugë kyçe për naftë dhe gaz.
Në anën tjetër, sekretari i Shtetit amerikan, Marcio Rubio, ka paralajmëruar se goditja më e madhe ende nuk ka ardhur. Ai foli pak pasi presidenti Donald Trump i cilësoi goditjet si shansin më të mirë për të eliminuar kërcënimet nga Teherani.
Gjashtë zyrtarë amerikanë kanë humbur jetën që kur nisën luftimet.
Trumpi kritikon Starmerin për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kritikuar kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer për rolin e tij në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.
“Nuk ka qenë ndihmues. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë ai për gazetën “The Sun”.
Në një intervistë telefonike, Trumpi ka deklaruar se “është shumë e trishtueshme të shohësh se marrëdhënia padyshim nuk është ajo që ka qenë”.
Të hënën, Starmer tha se qeveria e tij “nuk beson në ndryshimin e regjimit nga ajri”.
Fillimisht, Mbretëria e Bashkuar nuk e lejoi SHBA-në të përdore bazat britanike për të sulmuar Iranin, por më pas i hapi bazat e saj për sulme “mbrojtëse” ndaj objekteve iraniane.
“Franca ka qenë e shkëlqyer. Të gjithë kanë qenë të shkëlqyer. Mbretëria e Bashkuar ka qenë shumë ndryshe nga të tjerët”, ka thënë ai.