Botë

Sauditja dënohet me 34 vjet burgim për përdorim të Twitterit

Sauditja dënohet me 34 vjet burgim për përdorim të Twitterit

Një studente saudite në Universitetin Leeds e cila ishte kthyer në shtëpi për pushime është dënuar me 34 vjet burgim sepse kishte llogari në Twitter dhe për ndjekjen dhe ndërveprimin në rrjetin social me disidentë dhe aktivistë.

Dënimi nga Gjykata speciale kundër terrorizmit u dha disa javë pas vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Arabinë Saudite, për të cilën aktivistët e të drejtave të njeriut kishin paralajmëruar se mund të inkurajonte mbretërinë për të përshkallëzuar goditjen e saj ndaj disidentëve dhe aktivistëve të tjerë pro-demokracisë.

Rasti shënon shembullin më të fundit se si Princi i kurorës Mohammed bin Salman ka vënë në cak përdoruesit e Twitterit në fushatën e tij të represionit, raportoi The Guardian të martën.

Salma al-Shehab, nënë e dy fëmijëve, u dënua fillimisht me tri vjet burgim për “krimin” e përdorimit të një faqeje të internetit për “shkaktimin e trazirave publike dhe destabilizimin e sigurisë civile dhe kombëtare”. Por, në Gjykatën e Apelit asaj iu dhanë 34 vjet ndjekur me 34 vjet ndalim udhëtimi pasi një prokuror i kërkoi gjykatës të merrte parasysh krimet e tjera.

Akuzat e tjera me të cilat përballej Shehab ishin “ndihma e atyre që kërkonin të shkaktonin trazira publike dhe të destabilizonin sigurinë civile dhe kombëtare duke i ndjekur llogaritë e tyre në Twitter” dhe duke i shpërndarë postimet e tyre.

Shehab nuk drejtonte dhe nuk ishte zë apo aktiviste e sauditëve, brenda mbretërisë apo në Britani. Nganjëherë ajo ripostoi shkrime të disidentëve sauditë që jetojnë në ekzil, të cilët bënin thirrje për lirimin e të burgosurve politikë në mbretëri.