Edhe një i vdekur është regjistruar në Kosoë nga virusi i Nilit Perëndimor. Ndërsa janë konfirmuar shtatë raste të infeksionit me virus, njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.
Të gjitha rastet janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë: tri me shenja klinike të meningjitit akut, tri me shenja të meningoencefalitit akut dhe një rast me gjendje febrile.
"Gjatë periudhës 7 gusht–18 shtator 2026, në Laboratorin e Mikrobiologjisë të IKSHPK-së janë konfirmuar shtatë raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor (WNV) në Kosovë. Prej tyre, pesë janë meshkuj dhe dy femra. Dy raste i përkasin grupmoshës 10–19 vjeç, ndërsa rastet e tjera janë të moshave deri në 79 vjeç. Tri raste janë nga Gjakova, ndërsa nga një rast është regjistruar në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë", thuhet në njoftimin e Institutit.
Sipas IKSHPK-së, nga analiza fillestare nuk është evidentuar lidhje epidemiologjike ndërmjet rasteve, prandaj ato janë klasifikuar si sporadike. Ndërkaq, vetëm një nga shtatë rastet ka raportuar histori udhëtimi jashtë vendit.
Në laboratorët e IKSHPK-së po analizohen edhe mostra të tjera të dyshimta, ndërsa vazhdojnë aktivitetet për monitorimin dhe kontrollin e situatës epidemiologjike.
IKSHPK-ja u ka bërë thirrje të gjitha komunave, në veçanti atyre ku janë konfirmuar raste, që të intensifikojnë dezinsektimin kundër mushkonjave dhe eliminimin e vatrave të shumimit të tyre. Masat duhet të përfshijnë spërkatjen në zonat me prani të shtuar të mushkonjave, largimin e mbeturinave dhe sanimin e kanalizimeve të hapura.
Për mbrojtje personale IKSHPK rekomandon përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave, veshja e rrobave me ngjyra të çelëta që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit, vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe përdorimi i pajisjeve mbrojtëse në ambient të jashtëm.
Edhe
Konfirmohet një rast pozitiv me virusin e Nilit Perëndimor
Udhëtarët që vizitojnë zona ku raportohen infeksione të transmetuara nga mushkonjat, pas kthimit, rekomandohet të përcillet gjendja shëndetësore për paraqitjen e temperaturës, dhimbjes së kokës, lodhjes, skuqjes së lëkurës ose shenjave neurologjike.
"Në rast të shfaqjes së simptomave duhet të kërkohet vlerësim mjekësor pa vonesë dhe profesionisti shëndetësor të informohet për historinë e udhëtimit dhe ekspozimin e mundshëm ndaj mushkonjave", apelon Instituti.