Arabia Saudite ka liruar një shtetas amerikan nga burgu më shumë se një vit pas dënimit të tij për kritika ndaj Qeverisë përmes postimeve në Twitter.
Saad Ibrahim Almadi 72-vjeçar, i cili gjithashtu ka nënshtetësi saudite, u arrestua në nëntor të vitit 2021 kur mbërriti në Riad për të vizituar familjen e tij.
Ai u dënua në tetor me 16 vjet burg. Gjykata e Apelit muajin e kaluar e rriti dënimin në 19 vjet.
As autoritetet amerikane dhe as ato saudite nuk e kanë komentuar lirimin e Almadit.
Djali i tij, Ibrahimi, konfirmoi se babai i tij ishte në një rezidencë familjare në Riad, por tha se nuk ishte e qartë se kur mund të kthehej në shtëpinë e tij në Florida.
“Të gjitha akuzat janë hequr, por ne duhet ta luftojmë ndalimin e udhëtimit tani”, tha Ibrahim për Reuters.
Almadi u shpall fajtor për përpjekje për të destabilizuar mbretërinë dhe për mbështetjen dhe financimin e terrorizmit. Atij i është shqiptuar edhe ndalimi i udhëtimit për 16 vjet.
Duke folur për rastin publikisht për herë të parë pas vendimit, Ibrahim i tha BBC-së se e vetmja provë e paraqitur më në fund në gjykatë kundër babait të tij ishin 14 postime në Twitter.
Almadi u shpall gjithashtu fajtor për mosraportimin e terrorizmit mbi postimet që Ibrahimi kishte postuar në një llogari të veçantë, sipas djalit të tij.