Botë

Ministrat e jashtëm të Rusisë e Ukrainës do të takohen të enjten në Turqi

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pritet të takohet me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba të enjten në kryeqendrën e Turqisë, Ankara, raporton BBC.

Ky takim është paralajmëruar ndërsa Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës.

Lajmin për takimin e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, në një postim në Twitter.

“Me iniciativën e presidentit Erdoganit dhe angazhimit tonë intensiv diplomatik, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe ai i Ukrainës, Dmytro Kuleba, kanë vendosur të takohen me pjesëmarrjen time në margjina të Forumit të Antayas për Diplomaci”, tha Çavusoglu.

Ukraina thotë se raketat ruse po vazhdojnë të godasin komplekset e banimit në disa qytete dhe se kryeqendra Kievi është nën sulm të ashpër.

Ndërkohë është paralajmëruar sot rreth orës 15:00 të mbahet raundi i tretë i negociatave mes palës ukrainase dhe asaj ruse. Negociatat po mbahen në Bjellorusi.