Klubi i basketbollit Vëllaznimi ka reaguar të enjten në faqen zyrtare dhe ka thënë se e dënon incidentin në palestrën “Shani Nushi”, ku i lënduar nga shishja e hedhur nga një përkrahës i kësaj skuadre, mbeti ndihmëstrajneri Bledar Gjeçaj i Bashkimit.
“KB Vëllaznimi shpreh shumë keqardhje dhe dënon ashpër incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes ndaj KB Bashkimit, ku një anëtar i stafit teknik të KB Bashkimit u godit me shishe plastike. Çdo akt dhune në sport është i papranueshëm dhe bie ndeshe me parimet bazë të fair-playit dhe sigurisë sportive”, ka shkruar Vëllaznimi në fillim të komunikatës. Në postimin e klubit gjakovar thuhet po ashtu se skuadra do të mbetet e përkushtuar për pritje korrekte, të sigurt dhe dinjitoze të ekipeve mysafire.
Ata kanë shtuar se KB Vëllaznimi nuk ka dështuar në organizim, siç ka shkruar Federata e Basketbollit e Kosovës.
“Duhet theksuar qartë se me lejen e delegatit të ndeshjes dhe në koordinim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës, janë lejuar disa persona të ekipit mysafir që të vendosen në një zonë të palestrës ku nuk lejohet prania e shikuesve, e cila sipas rregullave duhet të jetë zonë e kontrolluar dhe e siguruar. KB Vëllaznimi fton Federatën e Basketbollit të Kosovës që të analizojë me kujdes videoincizimet zyrtare të ndeshjes, për të konstatuar mënyrën se si ka ardhur deri te grumbullimi i tifozëve prizrenas në një zonë të ndaluar, faktin se këta persona janë lejuar aty pa pëlqimin e KB Vëllaznimit dhe se ata kanë mbetur tërësisht të pasiguruar dhe pa mbikëqyrje, çka përbën dështim të zinxhirit të vendimmarrjes institucionale dhe jo të organizatorit vendor. Pikërisht nga ajo zonë e ndaluar ka ardhur edhe mjeti i hedhur në parket, fakt ky që mund të verifikohet qartë nga pamjet filmike”, ka shtuar tutje KB Vëllaznimi.
Për këto arsye, KB Vëllaznimi ka thënë se përgjegjësia për situatën e krijuar të mërkurën mbrëma nuk duhet t’i atribuohet vetëm klubit gjakovar.
KB Vëllaznimi në fund ka shkruar edhe për “aplikimin e standardeve të dyfishta”, duke e përmendur edhe rastin e Dardan Berishës.
“KB Vëllaznimi shpreh shqetësim serioz për aplikimin e standardeve të dyfishta, duke rikujtuar rastin e fundit kur në Prizren, basketbollisti Dardan Berisha u godit me mjet të fortë dhe u gjakos, ndërsa u vendos vetëm zbrazja e një pjese të palestrës. Në Gjakovë, një javë më pas, për një situatë identike apo më të lehtë, u urdhërua zbrazja e tërë sallës, vendim disproporcional dhe i pabarabartë”, ka shkruar KB Vëllaznimi, që ka kërkuar trajtim të barabartë të rasteve të ngjashme.