Pasi nuk ia doli të sigurojë ekzistencën në Superligën e Kosovës në basketboll, Vëllaznimi i Gjakovës mori një tjetër goditje.
Klubi gjakovar i basketbollit është sanksionuar nga BAT-i, përkatësisht Tribunali i Arbitrazhit në Basketboll. Kjo do të thotë që Vëllaznimi aktualisht e ka të pamundur të transferojë lojtarë. Në fakt kjo periudhë është e qetë për klube të basketbollit. Transferime zakonisht nuk bëhen deri në shtator. Por fakti se është sanksionuar nga BAT-i dëshmon që Vëllaznimi ka pasur telashe, përkatësisht nuk ka respektuar marrëveshjen me të paktën një lojtar apo trajner.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBAT-i ka sanksionuar Vëllaznimin për një rast, ndërsa njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të FIBA-s më 13 prill.
Sanksionimi hiqet pasi Vëllaznimi të paguajë obligimet ndaj atij që ka humbur rastin, apo të paktën të arrijë marrëveshje.
Më herët këtë edicion Peja ishte e sanksionuar nga BAT-i dhe për një kohë nuk mundi të regjistrojë lojtarë të rinj. Por klubi pejan arriti marrëveshje me lojtarët që fituan rastet në BAT.
Ndërkohë edhe Sigal Prishtina ka njoftuar që pas një kohe të gjatë është dërguar në BAT. Por nuk ka ndonjë njoftim për sanksionim të Prishtinës.
Vëllaznimi e përfundoi stinorin e rregullt në Superligë në pozitën e fundit, përkatësisht të tetë. Por i kishte 38 pikë, sa edhe Sigal Prishtina në vendin e gjashtë dhe Rahoveci 029 në të shtatin.
Te Vëllaznimi ishin të bindur se me fitore ndaj Pejës në xhiron e fundit, do të siguronin mbetjen në Superligë. Fitorja u arrit, por qëndrimi në Superligë jo.
FBK-ja bëri interpretim të ndryshëm të Propozicioneve të Garave, prej atij që prisnin në klubin gjakovar. FBK-ja njoftoi se kur tri skuadra kanë pikë të barabarta, atëherë renditja bëhet në bazë të bilancit në ndeshjet e ndërsjella të tri skuadrave. Dhe kjo e la Vëllaznimin në vendin e fundit.
Gjakovarët pretenduan se në bazë të Propozicioneve të Garave, renditja duhej të bëhej vetëm në bazë të koshdallimit në ndeshjet e ndërsjella të tri skuadrave.
Në fakt kishte paqartësi lidhur me këtë pikë në Propozicione. Dhe në fund FBK-ja vendosi në bazë të rregullave zyrtare të lojës së basketbollit.
Vëllaznimi u ankua në Arbitrazhin e FBK-së, por vendimi nuk ndryshoi. Dhe në edicionin e ardhshëm duhet të luajë në Ligën e Parë, nëse nuk ka ndonjë ndryshim tjetër, e që nuk pritet. Vëllaznimi synon të kthehet shpejt në Superligë, por i duhet po ashtu shpejt ta mbyllë rastin e humbur në BAT.