Bashkimi nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve në ndeshjen e parë finale të plejofit në basketboll ndaj Trepçës, që zhvillohet të dielën prej orës 19:00 në “Sezai Surroi”. Për shkak të incidentit të rëndë në ndeshjen e fundit në Prizren, Bashkimi është dënuar me një ndeshje si vendas pa shikues.
Por tifozët prizrenas pritet të mblidhen në afërsi të palestrës, përkatësisht në oborrin e qendrës sportive.
Bashkimi ka njoftuar se do të vë një ekran gjigant në oborr të palestrës “Sezai Surroi”.
“Pasi që ekipi ynë është i dënuar të luajë ndeshjen e parë finale pa praninë e tifozëve, do të organizojmë transmetimin live të ndeshjes në ekran gjigand para palestrës sportive ‘Sezai Surroi’. Të dielën, në ora 19:00, ftojmë të gjithë qytetarët e Prizrenit të mblidhen dhe ta përjetojnë emocionin e finales së bashku, duke dhënë përkrahjen e tyre me zemër për ekipin tonë”, shkruan në një njoftim të Bashkimit.