Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Të tjera ndeshje interesante në Superligën e basketbollit në fundjavë

Hajrizi

Bora e mposhti Pejën në “Karagaçi”, ndërsa Sigal Prishtina me shumë mund fitoi në Pallatin e Rinisë ndaj Rahovecit 029. Trepça e “përmbysi” Bashkimin në pjesën e dytë të ndeshjes në Prizren, kurse Golden Eagle Ylli e la duarthatë Vëllaznimin në ndeshjen në Gjakovë.

Ndeshjet e xhiros së dhjetë, të zhvilluara të mërkurën e të enjten, ofruan rezultate interesante.

Dhe ngjashëm pritet të jetë edhe xhiroja e 11-të e Superligës së Kosovës në basketboll. Dy ndeshje janë të shtunën e dy të dielën.

Në elitën kosovare të basketboll po e mposht secili secilin. Si rrallë ndonjëherë dallimi mes të parit dhe të fundit është vetëm katër pikë, ndërkohë që janë luajtur dhjetë xhiro. Tri skuadrat e fundit kanë pikë të barabarta.

Rrjedhimisht secila xhiro, secila ndeshje, ka peshë të madhe.

Edhe Xhiroja nis me një derbi e përfundon me një tjetër Basketboll Xhiroja nis me një derbi e përfundon me një tjetër

Për shembull ajo mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës, që zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në Suharekë dhe e hap xhiron e 11-të.

Ylli ka pretendime të mëdha për këtë edicion, por ka vetëm tri fitore e plot shtatë humbje. Kampionia në fuqi, Trepça, është e treta me gjashtë fitore e tri humbje, ndërsa e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Kroati Jeronimo Sharin mori drejtimin e Yllit pak kohë më parë dhe tani ka bilanc prej dy fitore e një humbje. Dhe “dora” e Sharinit mund të vërehet pikërisht në ndeshjen me Trepçën. Te klubi mitrovicas kanë besim të plotë në punën e boshnjakut Adis Beqiragiq, që i udhëhoqi drejt shumicës së trofeve në vitet e fundit.

Të shtunën është edhe ndeshja mes Borës dhe Vëllaznimit, që zhvillohet në Prishtinë nga ora 19:30.

Bilanci i Borës aktualisht është katër fitore e pesë humbje, ndërsa nuk e ka luajtur ende një ndeshje me Trepçën. Bora është në seri prej tri fitoreve. Ka mposhtur Rahovecin 029, Sigal Prishtinën e Pejën. Vëllaznimi mposhti Bashkimin e Trepçën, por në mesjavë pësoi nga Ylli. Dhe mbetet i fundit në tabelë.

Të dielën janë dy ndeshje të tjera interesante. Nga ora 19:00 takohen dy prej skuadrave të mëdha të basketbollit kosovar, Sigal Prishtina dhe Bashkimi. Prishtina po luan si vendase thuajse pa shikues. Po bojkotohet nga tifozët. Dhe po vuan nga mungesa e vazhdimësisë së rezultateve. Me pesë fitore e pesë humbje është në vendin e katërt. Bashkimi është në seri prej tri humbjeve, por vazhdon të mbetet i pari. Pas lëndimit të tre prej lojtarëve kryesorë, Valon Bunjakut, Isaiah Cousinsit dhe Jeremiah Baileyt, Bashkimi reagoi duke firmosur me Malcolm Armsteadin dhe Ike Nwamun.

Edhe Basketboll, tjetër xhiro me ndeshje interesante Basketboll Basketboll, tjetër xhiro me ndeshje interesante

Bilanc të njëjtë me Bashkimin – shtatë fitore e tri humbje – ka GO+Peja në vendin e dytë. Edhe ekipi pejan po vuan në mungesë të ecurisë pozitive dhe tashmë ka mbetur pa Armsteadin. Peja të dielën nga ora 19:30 luan në udhëtim ndaj Rahovecit 029.

Rahoveci, që ka buxhet dukshëm më të ulët se skuadrat e tjera, e çmon çdo fitore të arritur. Tashmë i ka katër, ndërsa në enjten i mungoi fati për të mposhtur Sigal Prishtinën në kryeqytet. “Vreshtarët” shpresojnë në më shumë fat në ndeshje me ekipin pejan.