Vetëm katër vjet pas themelimit dhe vetëm në edicionin e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll, Bora e Prishtinës po e kërkon vendin në finale të plejofit. Madje po vlerësohet rivale e barabartë me Bashkimin e Prizrenit në serinë gjysmëfinale të plejofit.
Ndeshjen e parë në Prizren, Bashkimi e fitoi me rezultat 73:70, ndonëse Bora ishte në epërsi thuajse deri në fund. Të shtunën në Prishtinë, Bora fitoi 76:75, në një tjetër ndeshje dramatike. Gjysmëfinalja e tretë zhvillohet të mërkurën prej orës 19:30 në Prizren. Në finale kalon skuadra që i shënon tri fitore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jemi të lumtur për fitoren ndaj Bashkimit pasi kemi treguar se jemi me meritë në mesin e ekipeve më të mira të ligës. Sa i takon gjithë edicionit, rezultatet janë përtej pritjeve. Me punë të madhe kemi arritur të tejkalojmë gjitha problemet. Ndonëse e kemi nisur edicionin me katër humbje, kemi arritur në gjysmëfinale të kupës dhe të ligës”, ka thënë trajneri i Borës, Zoran Kashqelan.
Trajneri nga Mali i Zi e zëvendësoi bullgarin Lubomir Minchev, që u largua pas fillimit të zbehtë.
Stinorin e rregullt Bora e përfundoi në pozitën e tretë. Në çerekfinale të plejofit e kaloi lehtë Sigal Prishtinën, duke e mposhtur bindshëm në dy ndeshje.
Por a po e merr Bora primatin në Prishtinë?
“Klubi ka katër-pesë vjet që ekziston dhe synimi është që çdo vit të rritet në aspektin e organizimit dhe sa i takon lojërave dhe rezultateve. Këtë edicioni kemi bërë lojëra më të mira se Prishtina edhe kur ajo ishte me përbërjen më të mirë. Ne jemi të fokusuar në veten tonë dhe nuk e shohim Prishtinën sikur të ketë ndonjë rivalitet të veçantë. Situata në të cilën e gjetëm atë klub në çerekfinale nuk është fotografi e mirë as për ligë e as për lojtarët. Të gjithë do të përparojmë me konkurrencë të mirë, ndërsa një Prishtinë e fortë na duhet për ligë të fortë të Kosovës”, ka thënë Kashqelan.
Ai gjatë karrierës ka punuar në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ka drejtuar skuadra si Lovqeni, Podgorica, Sarajevo Spars, Borcin e Banjallukës dhe Bosnën e Sarajevës.
Tashmë Kashqelan e ka vazhduar kontratën me Borën edhe për edicionin e ardhshëm garues.
“I dua sfidat dhe besoj në kualitetin tim. Për këtë arsye kam vendosur të vijë në tregun që nuk e njihja, në klubin që dëshiron të rritet dhe ka perspektivë të mirë. Nuk ishte e thjeshtë në fillim, por gëzohem që njerëzit që e drejtojnë klubin janë të vetëdijshëm se vetëm sistemi i mirë mund të jep rezultate të duhura. Synimi është të krijojmë klub stabil, që ka vizion të qartë dhe identitet. Duam të mos jemi ngusht të lidhur vetëm me rezultatet në fushën e lojës, pasi do të ketë fitore e humbje. Përvoja më mëson që koha është faktor shumë i rëndësishëm në sport. Ngritja duhet të bëhet hap pas hapi, si në aspektin e lojtarëve ashtu edhe në atë organizativ. Për këtë arsye kam vazhduar kontratën dhe besoj që me stafin e mirë që e kam, do të arrijmë synimet”, ka theksuar Kashqelan.
Fokusi i tij megjithatë është te ndeshja e tretë me Bashkimin. Skuadra që shënon fitore të mërkurën mbrëma në Prizren do të jetë pranë finales.
Kashqelan ka theksuar se këtë seri do ta vendosin nuancat dhe se këtë e dëshmojnë ndeshjet e deritashme mes dy skuadrave.
“Përparësi e jona është fakti që luajmë pa ngarkesë. Synimi i parë ishte plejofi, ndërsa me kualifikim në gjysmëfinale ne e kemi tejkaluar atë. Bashkimi është ekip që prej fillimit të edicionit ka shfaqur më së shumti kualitet, krahas Trepçës, e sidomos në garat evropiane. Përparësi e Bashkimit është kualiteti individual dhe përvoja më e madhe e lojtarëve në ndeshjet e plejofit”, thotë trajneri i Borës.
Përparësi e Bashkimit është edhe përkrahja e tifozëve, që Bora nuk e ka ende, e po ashtu zhvillimi i ndeshjes së pestë eventuale në Prizren.
Por Bora tashmë po imponohet si skuadër e rëndësishme në basketbollin kosovar.