Basketboll

Kampionia nuk gabon në “Karagaçi”

KB Trepça

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, nuk ka gabuar në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ndaj GO+ Pejës. 

Trepça e fitoi 82:67 ndeshjen e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll me dominim, nga fillimi e deri në fund. 

GO+ Peja para tifozëve të vet arriti që në disa raste ta barazonte rezultatin, por pa kaluar në epërsi. 

Në periudhën e katërt, Trepça hyri me epërsi prej dy pikëve, 64:62, ndërsa gradualisht e rriti avantazhin për t’iu gëzuar fitores së pestë të sezonit, krahas dy humbjeve. 

GO+ Peja ndërkohë e pësoi disfatën e dytë. 

Periudhën e parë e të dytë, Trepça i fitoi 24:18 dhe 22:21 për të shkuar në pushim me shtatë pikë epërsi. 

Çereku i tretë i takoi vendësve që e fituan 23:18, kurse në dhjetë minutat e fundit, GO+ Peja u ndal në vetëm pesë pikë, kurse mitrovicasit i realizuan plot 18. 

Vetëm tre basketbollistë të Trepçës shënuan pikë dyshifrore të enjten mbrëma në “Karagaçi”. 

Statistikat më të mira i pati Seketoure Henry me 23 pikë, katër kërcime e po aq asistime. Chad Brown kontribuoi me dyshifror të dyfishtë prej 18 pikëve e 13 kërcimeve, ndërsa Drilon Hajrizi i pati 14 pikë, nëntë kërcime e një asistim. 

GO+ Pejës nuk i ndihmoi loja e mirë e Cesare Edwards që pati 17 pikë, nëntë kërcime e një asistim. 

Jordan Johnson shtoi 20 pikë, pesë asistime e dy kërcime, kurse kapiteni Dardan Berisha e mbylli ndeshjen me 12 pikë, katër asistime e dy kërcime. 

GO+ Pejën e pret tjetër ndeshje e vështirë në xhiron e ardhshme, pasi luan në udhëtim te Golden Eagle Ylli, kurse Trepça e pret Vëllaznimin.