Basketboll

Kampioni e nis me fitore, Lakersit s’i mjafton paraqitja mjeshtërore e Donçiqit

Luka Donçiq

Sezoni i 80-të i NBA-së ka nisur me dy ndeshje mjaft interesante, Oklahoma City përballë Houston Rocketsit dhe LA Lakers kundër Golden State Warriors.

Në ndeshjen hapëse të sezonit, kampioni në fuqi Oklahoma mposhti Houstonin, dhe takimi u vendos vetëm pas dy vazhdimeve, me rezultatin dramatik 125:124.

Heroi për Oklahomën ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili shënoi pikët vendimtare në sekondat e fundit të vazhdimit të parë dhe më pas siguroi fitoren. Ai e përfundoi ndeshjen me 35 pikë, 5 kërcime dhe 5 asistime. Ndihmë të madhe pati edhe nga Chet Holmgren, që shtoi 28 pikë dhe 7 kërcime.

Për Houstonin, më i dalluari ishte Alperen Sengun me 39 pikë, 11 kërcime dhe 7 asistime, ndërsa Kevin Durant shënoi 23 pikë dhe pati 9 kërcime.

Në ndeshjen tjetër, LA Lakers u përballën me Golden State Warriors pa kapitenin LeBron James, i cili për herë të parë në karrierë mungoi në ndeshjen hapëse të sezonit. Warriors fituan me rezultatin 119:109, falë paraqitjes së shkëlqyer të Jimmy Butler me 31 pikë dhe Steph Curry me 23 pikë.

Lakersave nuk u mjaftoi as paraqitja brilante e Luka Donçiqit, i cili ishte pranë një triple-double. Ai përfundoi ndeshjen me plot 43 pikë, 12 kërcime dhe 9 asistime. I vetmi bashkëlojtar që deri diku iu afrua statistikave të tij ishte Austin Reaves me 26 pikë dhe 9 asistime.

Sa për të treguar sa mbresëlënës ishte Donçiq, ai u bë lojtari i parë i Lakersit që nga koha e Kobe Bryant (në vitin 2007) që hap sezonin me 40 ose më shumë pikë. Bryant kishte shënuar 45 pikë në ndeshjen hapëse kundër Houstonit atë vit.

Rezultatet:

LA Lakers - Golden State Warriors 109:119

Oklahoma City Thunder - Houston Rockets 125:124 (pas dy vazhdimeve)