Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Bashkimi fiton derbin dramatik me Trepçën

Bashkimi

Bashkimi e ka fituar ndeshjen dramatike ndaj Trepçës. Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi fitoi me rezultat 76:72.

Ishte kjo kryendeshja e xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në basketboll,  përkatësisht e xhiros së parë të stinorit pranveror. Ndeshja u vendos në aksionet e fundit, ndonëse vendasit ishin vazhdimisht në epërsi.

Çereku i parë përfundoi 18:16 për prizrenasit. Në çerekun e dytë vendësit bënë shkëputjen e madhe. E fituan këtë dhjetëminutësh me rezultat 21:11.

Pas pjesës së parë rezultati ishte 39:27 për Bashkimin. 

Çereku i tretë ishte shumë interesant. Në gjysmë të këtij çereku, vendasit u shkëputën në plot 23 pikë, 54:31. Pasoi një seri e Trepçës  që u afrua në vetëm gjashtë pikë, 54:48. Në fund të periudhës së tretë rezultati ishte 60:50 në të mirë të Bashkimit. 

Edhe Trepça e fiton derbin e xhiros Basketboll Trepça e fiton derbin e xhiros

Në çerekun e fundit “xehetarët” u afruan në një pikë, 67:66. Vendasit bënë tjetër shkëputje, 74:66 dhe loja interesante vazhdoi deri në fund. Sërish skuadra mitrovicase u afrua në dy pikë, 74:72, por ndeshjen më qetë e mbyllën vendasit që fituan 76:72.

Mack Smith udhëhoqi Bashkimin me 20 pikë, pesë kërcime e katër asistime. 

Plejmejkeri i ri i prizrenasve, Wendell Green debutoi suksesshëm, me 20 pikë e tri kërcime. Altin Morina i shënoi dhjetë pikë të rëndësishme, ndërsa kishte edhe pesë kërcime e gjashtë asistime. Lejson Zeqiri kontribuoi me nëntë pikë, katër kërcime e tri asistime.

Te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me 21 pikë, katër asistime e tri kërcime. Malik Johnson i kishte nëntë pikë, dhjetë asistime e nëntë kërcime, por edhe gjashtë topa të humbur. Ndërkohë Sammy Hunter ndeshjen e përfundoi me 13 pikë e pesë kërcime.

Bashkimi për herë të dytë e ka mposhtur Trepçën këtë edicion.

Edhe Bashkimi fiton superndeshjen, kthehet në garë për titull të kampionit Basketboll Bashkimi fiton superndeshjen, kthehet në garë për titull të kampionit

Trepça mbetet lidere me 26 pikë, përkatësisht me bilanc prej 11 fitore e katër humbje. Bashkimi i ka 25 pikë në vendin e dytë. Bilanci i kësaj skuadre është dhjetë fitore e pesë humbje.

Të enjten prej orës 19:00 janë ndeshjet Vëllaznimi – Peja dhe Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina.