Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

VW-ja e shet fabrikën e saj në Rusi

Kompania gjermane e automjeteve, Volkswagen ka shitur fabrikën e saj të prodhimit në Kaluga të Rusisë dhe filialet e saj lokale, duke i dhënë fund grindjeve prej muajsh me autoritetet ruse për marrëveshjen, raportoi të dielën Reuters.

Volkswageni ka shitur aksionet e veta në Volkswagen Group Rus LLC tek Art-Finance LLC, e cila mbështetet nga grupi autodealer Avilon.

Siç thuhet në deklaratën e kompanisë, transaksioni përfshin prodhimin në Kaluga, strukturën e importuesit që përbëhet nga biznesi i shpërndarjes, si dhe aktivitetet e magazinimit dhe shërbimeve financiare me të gjithë punonjësit e saj.

Nuk janë dhënë detaje mbi çmimin e shitjes, por një burim ka bërë të ditur se marrëveshja vlerësohet të jetë 125 milionë euro.

Puna në fabrikën në Kaluga që gjendet në jug të Moskës, është ndërprerë që nga marsi i vitit 2022 për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i cili bëri që vendet perëndimore ta sanksionojnë Rusinë, duke çuar në një prishje të zinxhirëve të furnizimit.

Ka një kapacitet prodhues prej 225,000 automjetesh në vit dhe mbi 4,000 punonjës.