Auto

Toyota, Mazda e Subaru paralajmërojnë alternativa për veturat elektrike

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, prodhuesit e veturave Toyota, Mazda e Subaru, si dhe ata të motoçikletave Kawasaki e Yamaha, njoftuan se do të përpiqen të neutralizojnë CO2 jo vetëm përmes modeleve elektrike, të cilat po shihen si alternativa të vetme.

Dy prodhuesit e motoçikletave kanë theksuar angazhimin e tyre ndaj motorëve me hidrogjen, ndërsa Mazda do të zhvillojë një 1.5 SkyActive-D të veçantë që funksionon me bionaftë. Ky lloj motori i zhvilluar do të montohet në Mazda2 dhe modeli do të njihet si Mazda Spirit Racing Bio, e do të marrë pjesë në garën Super Taikyu në Yokohama.

Toyota dhe Subaru do të marrin pjesë në Kampionatin Super Taikyu duke përdorur lëndë djegëse sintetike që nxjerret nga biomasa duke përdorur BRZ dhe GR86. Mbetet për t'u parë se si këto tri marka planifikojnë të ofrojnë prodhim të mjaftueshëm të këtij karburanti për përdorim komercial në të ardhmen.

Toyota ka kohë që është përfshirë në projektet e hidrogjenit. Megjithatë, me teknologjinë e qelizave të karburantit, kompania japoneze planifikon të ndërtojë një motor me djegie të brendshme mbi këtë karburant. Strukturalisht është i ngjashëm me motorët me benzinë.

Vendimi i Toyotas, Mazdas dhe Subarus nuk është befasues, pasi të tri markat nuk kanë nënshkruar një angazhim për të shitur vetëm vetura elektrike nga viti 2035 e tutje, siç u propozua gjatë konferencës së klimës COP26. Bashkë me to, kontratën nuk e nënshkruan as Volkswageni, BMW-ja, Hyundai dhe Honda. \autoblog