Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Teslas i duhen pesë vjet t’i kryejë porositë për Cybertruckun

Ka kaluar shifrën prej 1.9 milionëve numri i porosive për modelin e shumëpritur Tesla Cybertruck. Duke folur më herët gjatë javës, shefi i Teslas, Elon Musk, u shpreh se kërkesa për Cybertruckun është “aq e madhe sa s’mund të shihet”.

Pasi që Tesla planifikon të prodhojë rreth 375 mijë Cybertrucks në vit në kapacitet maksimal, numri i porosive kërkon të paktën pesë vjet për t’u kompletuar. Depozita për të rezervuar një Cybertruck ishte 100 dollarë.

Ky model prodhohet në Teksas, edhe pse ka gjasa që të prodhohet edhe në Meksikë, kur të nisë funksionimin fabrika.

Cybertruck ka pasur 1 milion paraporosi në maj të 2021-s. Për dy vjet, numri i porosive është dyfishuar. “Bisha” elektrike pritet të debutojë me mundësinë e kalimit të rreth 600 kilometrave distancë. Kur u shpalos në fund të 2019-s, ishte premtuar edhe një model që ecën deri 1000 kilometra distancë. Megjithatë ky version nuk pritet të prodhohet në terma afatshkurtër.

Sipas deklaratave të mëhershme të Muskut, vetura do të nisë prodhimin gjatë verës sivjet në fazën e hershme, ndërsa prodhimi masiv do të nisë në vitin 2024.

Në vitin 2019, ishin prezantuar tre lloje modelesh me çmime prej 40 mijë deri 70 mijë dollarë./Teslarati