Skoda ka prezantuar gjeneratën e katërt të modelit Superb. Brendi është fokusuar në stil, qëndrueshmëri e efikasitet më të lartë.
Në dizajn, kompania shfaq një evoluim nga modelet e shkuara. Në pjesën e përparme grila përthekohet nga drita më të holla, që përmes teknologjisë më të re të quajtur “Matrix” ofrojnë 40 për qind më shumë dritë. Ndryshimi vjen edhe në pjesët tjera. Siç shkruan “Auto-Express”, vetura ka pamje “më agresive” se kurdoherë.
Vetura ka hapësirë më të mëdha brenda. Kompania ka përdorur teknologjinë e re në interier, ndërsa ofrohen disa asistentë “të mençur” të udhëtimit dhe parkimit.
Sa i përket motorëve, Skoda ka shmangur një trend tërësisht elektrik duke ofruar dy variante me naftë. Modeli më i thjeshtë nis me versionin hibrid-benzinë me motor 1.5-litërsh me 148 kuajfuqi. Pas tij janë dy modele tjera benzinë 2.0 me 201 dhe 262 kuajfuqi. Te dizelët, janë motorë 2.0-litërsh me 148 ose 190 kuajfuqi.
Mbi të gjitha këto modele qëndron një version i veçantë hibrid Superb iV që kombinon motorin 1.5-litërsh benzinë me një motor elektrik. Bashkë ofrojnë 201 kuajfuqi. Vetura mund të funksionojë vetëm me rrymë, për ngasje deri 100 kilometra. Për t’u mbushur bateria deri 80 për qind, mjaftojnë 25 minuta.
Çmimi fillestar është rreth 40 mijë euro. Porositë hapen nga janari. Kah mesi i vitit të ardhshëm do të shpërndahen modelet e para.
{gallery}