Në ditët e nxehta të verës, kondicioneri në veturë është pothuajse i domosdoshëm. Por shumica e shoferëve bëjnë gabim të zakonshëm: sapo hyjnë në veturën e mbingrohur nga dielli, e ndezin menjëherë kondicionerin, me shpresën se brenda do të ftohet më shpejt. Në fakt, ky veprim del të jetë kundërproduktiv.
Ekspertët theksojnë se shumë vetura të sotme kanë enterier të errët, shpesh me ulëse prej lëkure, që thithin dhe mbajnë nxehtësinë edhe më gjatë. Nëse vetura ka qenë e parkuar nën diell të drejtpërdrejtë, temperatura brenda mund të kalojë 50 gradë Celsius – duke e shndërruar atë praktikisht në një “saunë lëvizëse”, shkruan Autoblog.
Keith Hawes, drejtor i “Nationwide Vehicle Contracts”, shpjegon pse ndezja e menjëhershme e kondicionerit është ide e keqe.
“Në atë moment, ju i kërkoni kondicionerit të luftojë një betejë të humbur. Gjatë verës, ajri brenda veturës është shpesh më i nxehtë se ai jashtë. Nëse e ndizni menjëherë kondicionerin – veçanërisht në modalitetin e qarkullimit të brendshëm – thjesht po e rrotulloni ajrin e nxehtë brenda dhe po e detyroni sistemin të punojë kot”, shpjegon ai.
Situata përkeqësohet edhe më shumë nga timoni, rripat e sigurisë dhe ulëset e mbingrohur, të cilat lëshojnë nxehtësi brenda kabinës dhe e vështirësojnë ftohjen.
Çka rekomandojnë ekspertët?
Së pari, hapni të gjitha dyert dhe dritaret për 30 deri në 60 sekonda, që sa më shumë nxehtësi të dalë jashtë.
Më pas, filloni ngasjen me dritare të hapura për disa minuta, në mënyrë që ajri i freskët nga jashtë të zëvendësojë ajrin e nxehtë të brendshëm.
Vetëm pas kësaj, ndizni kondicionerin. Qëllimi është të futet ajër më i ftohtë nga jashtë, jo të qarkullojë ajri i nxehtë që ka mbetur brenda.
Kështu, kondicioneri do të punojë më me efikasitet, do të ftoheni më shpejt dhe sistemi do të konsumojë më pak energji.