Prodhuesi prestigjioz gjerman i automjeteve, Audi, së shpejti do të prezantojë zyrtarisht modelin serik e-tron GT, i cili në formë koncepti ka debutuar para dy vjetëve në panairin e veturave që është mbajtur në Los Anxhelos.
Gjithashtu, së bashku me e-tron GT, Audi do të prezantojë edhe top versionin RS e-tron GT, për të cilin tashmë janë zbuluar detaje të reja rreth specifikave të tij dhe fotografitë e reja, shkruan revista e njohur “Autoexpress”.
RS e-tron GT do të jetë një veturë tërësisht elektrike të cilën do ta zhvillojë Audi Sport dhe se do të karakterizohet me disa pjesë të bëra nga fibra të karbonit , duke përfshirë mbrojtësit anësorë të zgjeruar dhe mbrojtësin e pasmë shtesë “agresiv”, si dhe çatinë po ashtu nga fibra të karbonit, rrotat e reja dhe amortizatorët e modifikuar, transmeton KOHA.
{gallery}
Sa i përket motorit, Audi RS e-tron GT do të ketë tri motorë elektrikë (dy në pjesën e pasme dhe një në atë të përparme), baterinë me kapacitet prej 95 kWh, si dhe në total rreth 700 kuajfuqi.
Ky top versioni i e-tronit, shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë pritet ta arrijë për rreth tre sekonda si dhe me një mbushje të baterisë pritet të kalojë deri 400 km.
Sa i përket çmimit, Audi e-tron GT pritet të kushtojë rreth 88,000 euro ndërsa RS e-tron GT rreth 130,000 euro.