Arbëri

Zjarri në depon në zonën industriale, IPKO: Pa ndikim në shërbime apo te klientët

Dëme të konsiderueshme nga zjarri në zonën industriale

Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar nga zjarri në objektin e IPKO-s në zonën industriale në Fushë-Kosovë sipas Policisë së Kosovës. 

Por në një reagim të IPKO-s thuhet se zjarri që shpërtheu të enjten nuk ka pasur ndikim në shërbime apo te klientët.

Sipas tyre asnjë pjesë kritike e infrastrukturës apo operacioneve të rrjetit nuk është prekur nga incidenti.

“Të gjitha shërbimet e IPKO-së vazhdojnë të funksionojnë normalisht, pa asnjë ndërprerje. Zjarri ishte i izoluar në zona specifike të magazinimit brenda depos dhe nuk ka pasur ndikim në sistemet apo shërbimet që kanë të bëjnë me klientët. Aktualisht, IPKO është duke zhvilluar një vlerësim të hollësishëm për të përcaktuar shkallën e dëmeve materiale, të cilat janë të kufizuara vetëm në pajisje dhe furnizime të brendshme”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se në bashkëpunim me autoritetet janë duke zhvilluar një hetim për të përcaktuar shkakun e zjarrit.

Zëdhënësi i Policisë në Prishtinë, Agron Borovci, të enjten ka thënë se rreth orës 20:00, është raportuar për një zjarr aktiv në objektin e një kompanie në zonën industriale në Prishtinë. 

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët po punojnë intensivisht për lokalizimin e zjarrit. Sipas informacioneve fillestare, dëmet janë të konsiderueshme, ndërkaq nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ndërkaq, për të dalë në vendin e ngjarjes ka ftuar edhe zyrtarin për hetimin e shkaqeve të zjarrit”, ka thënë ai.