Posta e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare të titulluar “Nga Trashëgimia – Xhubleta”, e cila u përfshi në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në nevojë për mbrojtje urgjente nga UNESCO në vitin 2022.
“Filatelia e Postës së Kosovës, kësaj radhe nga thesari i etnologjisë na sjell imazhin e bukur të Xhubletës në pulla postare, përmes të cilave do të promovojë kudo nëpër botë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe materiale të pafundme që ka atdheu ynë”, thuhet në njoftimin e Postës.
Sipas njoftimit xhubleta jep identitetin e kombit nëpërmjet motiveve.
“Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë Iliriane, nëpërmjet së cilës ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malësorët tanë e përcollën deri në vitet 1950 -1960, pra është e vetmja që jep identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja”, thuhet në njoftim.
Xhubleta, veshja tradicionale me origjinë të lashtë, tipike për gratë e Shqipërisë së Veriut, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, është një fund popullor i valëzuar, në formë zileje që përbëhet nganjë numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Ajo mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.
Edhe
Xhubleta nis udhëtimin edhe në pullat postare të Shqipërisë
Në shek. XVIII xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinet, xhoka, kërdhokulla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është një fund në trajtë kambane, që vjen e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e prapme.
{gallery}