Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV-ja ankohet në AIP për qasje në dosjet e katër rasteve të legalizimit të pronave në Prishtinë

Gëzim Sveçla

Foto: Driton Paçarada

Grupi i shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se është ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) lidhur me qasjen në dosjet e katër rasteve të legalizimit të pronave, të përmendura në mesazhet e publikuara ku pretendohet se është Florent Maliqi, shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Në mesazhe thuhet se legalizimi i këtyre pronave është bërë me ryshfet. 

Në një konferencë për media të premten, Sveçla ka thënë se më 3 gusht kanë kërkuar zyrtarisht nga Komuna e Prishtinës katër dosje të plota të legalizimit për katër rastet konkrete të përmendura në mesazhe.

Ai tha se Komuna, pas përfundimit të afatit ligjor dhe reagimit të tyre publik, nuk ua ka dorëzuar dosjet, por vetëm certifikatat e legalizimit.

“Me datën 3 gusht, në përputhje me ligjin për qasjen në dokumente publike, kemi kërkuar zyrtarisht nga komuna e Prishtinës 4 dosje të plota të legalizimit, për 4 rastet konkrete që përmenden në mesazhet e publikuara. Një ditë pas afatit ligjor për përgjigje, dhe vetëm pas reagimit tonë që e kemi bërë në rrjetet sociale, komuna na është përgjigjur. I kemi kërkuar dosjet, por komuna nuk na i ka dhënë. Në vend të tyre, na janë dorëzuar 4 certifikata të legalizimit. Pa dokumentacionin përcjellës dhe pa materialet bazë mbi të cilat janë marrë ato vendime, pra, ne i kërkuam dosjet, ata na dhanë certifikatat. Kjo është edhe më shqetësuese kur ligji përcakton se baza e të dhënave të legalizimit është publike, dhe se publiku ka të drejtë qasjeje në të. Për këtë çështje, tashmë jemi drejtuar me ankesë Agjensionit për Informim dhe Privatësi, dhe presim që kërkesa jonë dhe urojmë që e njëjta të trajtohet sa më fort, në mënyrë që të na sigurohet qasja e plotë në këto dokumente, të cilat janë të rëndësishme për publikun”, tha Sveçla.

Sipas tij, certifikatat e dorëzuara nga Komuna dëshmojnë se katër objektet e përmendura në mesazhe janë legalizuar, ndërsa kërkesa e tyre është që të kenë qasje edhe në dokumentacionin mbi bazën e të cilit janë marrë vendimet.

Edhe Rama mbajti Maliqin në krye të Urbanizmit e Kadastrit - mbylli për publik të dhënat e legalizimeve Arbëri Rama mbajti Maliqin në krye të Urbanizmit e Kadastrit - mbylli për publik të dhënat e legalizimeve

“Kemi një pyetje konkrete për përparim Ramën dhe qeverisjen e tij në kryeqytet. Nëse gjithçka është në rregull, ashtu siç po pretendon zoti Rama, pse nuk po i hapni dosjet? Nëse legalizimet janë bërë sipas ligjit dhe nëse dokumentacioni është i rregullt, ju lusim ta publikoni të njëjtin. Sepse ato që na kanë dorëzuar certifikata tregojnë se objekti është legalizuar, dosja na tregon se si është legalizuar. Pra, certifikata e tregon rezultatin, kurse ne jemi të interesuar ta dimë procesin dhe procedurën. Këtë e mësojmë vetëm kur t'i kemi dosjet. Pavarësisht se nuk kemi pasur qasje në dosjet e plota, deri më tani kemi arritur të verifikojmë disa fakte shumë të rëndësishme. Në mesazhet e publikuara Florent Maliqi, shefi i kabinetit përparim Ramës, përmend objekte konkrete për të cilat pretendon se janë legalizuar në mënyrë të paligjshme. Ne i kemi kontrolluar këto raste në GeoPortal dhe në certifikatat që vetë komuna na i ka dorëzuar, dhe rezultati është i qartë: të 4 objektet që përmenden në mesazhe janë të legalizuara. Kjo tregon qartë se përmbajtja e tyre komunikimeve nuk mund të hidhet poshtë si muhabet privat dhe i shkëputur nga realiteti që ka ndodhur. Ka edhe një element tjetër: në ato komunikime Florent Maliqi thotë se përparim Rama dëshiron ta emërojë shef të kabinetit. Më vonë edhe kjo ndodh. Florent Maliqi emërohet shef i kabinetit të Përparim Ramës”, tha ai.

Sveçla ka bërë të ditur po ashtu se çështja është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Speciale.

Ai tha se dje është intervistuar nga Prokuroria Speciale asamblisti i VV-së, Çlirim Gërbeshi, ndërsa sot është duke u intervistuar Berita Abazi. /KosovaPress