Artikull i përditësuar (20:20) - Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka thënë se është konfirmuar tashmë se janë legalizuar që të katër objektet, për të cilat një sinjalizues ka ngritur dyshime se procesi për to është zhvilluar kundërligjshëm me qëllim përfitimi.
Objektet përmenden në një komunikim që, sipas sinjalizuesit, i përket Florent Maliqit, që aktualisht është shef i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndërkaq për një kohë ka qenë drejtor i Urbanizmit dhe Mjedisit, e njëkohësisht edhe ushtrues detyre i drejtorit të Kadastrit.
Sveçla tha se komuna nuk ka ofruar qasje në dosjen e plotë të legalizimit të këtyre objekteve në pronësi private.
“Në vend të tyre, na janë dorëzuar katër certifikata të legalizimit. Pa dokumentacionin përcjellës dhe pa materialet bazë, mbi të cilat janë marrë ato vendime, pra ne i kërkuam dosjet, ata na dhanë certifikatat. Kjo është edhe më shqetësuese kur ligji përcakton se baza e të dhënave të legalizimit është publike, dhe se publiku ka të drejtë qasjeje në të”, ka theksuar Sveçla.
Pas kësaj, Sveçla tha se i është drejtuar me ankesë Agjencisë për Informim dhe Privatësi, dhe shprehu pritjen që nëpërmjet këtij institucioni do të sigurohet qasja në dosjen e plotë.
Edhe
VV-ja ankohet në AIP për qasje në dosjet e katër rasteve të legalizimit të pronave në Prishtinë
“Kemi një pyetje konkrete për Përparim Ramën dhe qeverisjen e tij në kryeqytet. Nëse gjithçka është në rregull, ashtu siç po pretendon zoti Rama, pse nuk po i hapni dosjet? Nëse legalizimet janë bërë sipas ligjit dhe nëse dokumentacioni është i rregullt, ju lusim ta publikoni të njëjtin. Sepse ato që na kanë dorëzuar certifikata tregojnë se objekti është legalizuar, dosja na tregon se si është legalizuar. Pra, certifikata e tregon rezultatin, kurse ne jemi të interesuar ta dimë procesin dhe procedurën. Këtë e mësojmë vetëm kur t'i kemi dosjet”, është shprehur ai.
Sveçla ka bërë të ditur po ashtu se çështja është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Speciale.
Ai tha se të enjten është intervistuar nga Prokuroria asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Çlirim Gërbeshi, ndërsa gjatë së premtes edhe Berita Abazi.
Këto pretendime janë mohuar nga Komuna e Prishtinës të premten në mbrëmje. Në një njoftim në Facebook, Komuna ka thënë se pretendimet e VV-së “për refuzim të qasjes janë të pavërteta”.
Edhe
Dyshimet për legalizime të kundërligjshme, Rama paralajmëron masa ndaj kujtdo që rezulton se e ka shkelur ligjin
Në reagim, Komuna ka thënë se nuk ia ka refuzuar qasjen VV-së në dokumentacionin e katër rasteve të legalizimit. Sipas reagimit, “kërkesa është trajtuar në përputhje me ligjin”. Aty është thënë se në dosje ka të dhëna personale “që nuk ka të drejtë t’i shpërndajë”.
“Kërkuesve u janë ofruar vendimet e legalizimit, ndërsa për dokumentacionin tjetër u është mundësuar konsultimi i dosjeve në ambientet e Kryeqytetit, në termin të dakorduar paraprakisht. Dosjet përmbajnë të dhëna personale dhe private të personave fizikë, të cilat Kryeqyteti nuk ka të drejtë t’i shpërndajë në kundërshtim me ligjin. Transparenca nuk nënkupton shkelje të ligjit dhe as ekspozim të të dhënave të mbrojtura. Kryeqyteti nuk është mbi ligjin. Prandaj, Kryeqyteti do të vazhdojë të zbatojë ligjin, të garantojë transparencën dhe të mbrojë të drejtat e secilit qytetar, pavarësisht presionit apo interesit politik të kujtdo. Për çdo pretendim tjetër, ju inkurajojmë t’u drejtoheni institucioneve kompetente. Kryeqyteti gjithmonë është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë”, thuhet në reagim.
-
Komuna e Prishtinës: Do të marrim masa ndaj përgjegjësve, nëse vërtetohen dyshimet për legalizime të kundërligjshme
-
Pas një sinjalizimi, LVV-ja e çon në Prokurori Ramën, me dyshimin për legalizime të kundërligjshme
-
Rama mbajti Maliqin në krye të Urbanizmit e Kadastrit - mbylli për publik të dhënat e legalizimeve