Arbëri

VV-ja akuzon pushtetin në Prishtinë për blerje të asamblistëve

Konferencë për media e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla dhe sekretari organizativ i kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi, kanë akuzuar asamblistët e partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës për shitje të votave. 

Sipas tyre, disa asamblistë të caktuar po e shesin votën e tyre për pazare milionëshe, përfshirë përfitimin e shtëpive në lagje luksoze të kryeqytetit. 

“Kemi ftuar konferencën për pazaret milionëshe që po ndodhin në komunën e Prishtinës…. Ka filluar edhe blerja e asamblistëve. Ka kundërshtime edhe mes LDK-së për këto pika të rendit të ditës. Asamblistëve të caktuar iu janë ofruar tri shtëpia për votime. Ju bëjmë thirrje asamblistëve të vazhdojnë rrugën e drejtë”, ka thënë Azemi.  

Teksa asamblisti tjetër i opozitës, Gëzim Sveçla, e ka arsyetuar veprimin e bërë sot në sallën e Kuvendit Komunal, ku e shkuli mikrofonin, duke thënë se kjo ka qenë arsyeja e një veprimi të tillë, të cilin ai e ka quajtur “aksion simbolik”.

Në një konferencë për media të mbajtur pas seancës së mbajtur për miratimin e buxhetit 2025 për Komunën e Prishtinës, Sveçla ka kërkuar falje për, siç ka thënë, defunksionalizim të mikrofonit, duke thënë se një veprim i tillë nuk është bërë për miratim të buxhetit, por për disa vendime që do të merreshin në seancë e që sipas tij, janë në dëm të qytetit. 

“Rasti që ka ndodhur nuk ka të bëjë fare me miratimit e buxhetit. Unë si asamblist e kam ndërmarr një veprim që e keni parë të gjithë. Bëhet fjalë për defunksionalizimin e mikrofonit që për një kohë shumë të shkurtër u funksionalizua sërish. Nuk bëhet fjalë për vandalizëm të sallës së Kuvendit, bëhet fjalë për veprim politik, aksion simbolik që ishte i domosdoshëm në mënyrë që të paktën përkohësisht të ndërpritej ajo seancë ku do të merreshin disa vendime që janë shumë të dëmshme për qytetin dhe banorët e Prishtinës”, ka thënë Sveçla.

Ai tutje ka njoftuar se në orën 14:00 do të intervistohet nga organet e rendit lidhur me veprimin e sotëm. 

“Unë qytetarëve të Prishtinës iu kërkoj falje për imazhet të cilat i janë servuar, mirëpo përtej çdo pamje, është e rëndësishme përmbajtja. Kjo ka të bëjë me ndalimin e aprovimit të planit të projekteve që e ngufasin qytetin. Në ora 14:00 do të jap deklaratë në polici, pasi jam ftuar”, ka thënë ai. 

Jashtë objektit të Komunës së Prishtinës është vendosur edhe një baner, ku shkruan "Komuna e Devollëve", në shenjë proteste për, siç u tha, "tjetërsim të pronave".