Arbëri

Vitia u intervistua për spitalin “e harruar” të Ferizajt

Arben Vitia

Foto: Alban Bujari

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, është intervistuar të premten nga Prokuroria Speciale lidhur me një padi që i ishte bërë Ministrisë nga një operator ekonomik, që ishte i kontraktuar për spitalin tashmë të harruar të Ferizajt.

Lajmi u bë i ditur nga këshilltari politik i Vitisë, Durim Elshani, që megjithatë nuk ka treguar në çfarë cilësie është intervistuar Vitia.

Ai ka thënë se Prokuroria u vu në lëvizje ndaj MSH-së për pak muaj pas një padie që një kontraktor e ka ngritur ndaj saj, ndonëse, sipas tij, MSH-ja ka vite të tëra që e ka çuar vetë lëndën në Prokurori. Elshani ka thënë se në vitin 2021 MSH-ja kishte dorëzuar kallëzim penal lidhur me projektin për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt e se për këtë rast kjo ministri edhe më 2024 ka përsëritur thirrjen që rasti të trajtohet.

Elshani ka thënë se MSH-ja e kishte ndërprerë kontratën me operatorin qysh në vitin 2021 pas dyshimeve se mund të ketë mashtruar. Njëkohësisht ishte dorëzuar edhe kallëzim penal, për çka kishte raportuar edhe KOHA atë kohë. Megjithatë, sipas tij, tash kur po bëhen pesë vjet nga kallëzimi penal i MSH-së ndaj këtij operatori ekonomik – nuk ka pasur lëvizje nga Prokuroria.

“Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar kallëzim penal lidhur me projektin për ndërtimin e Spitalit Regjional në Ferizaj që në vitin 2021. Po ashtu, edhe në vitin 2024, Ministria ka bërë thirrje publike ndaj Prokurorisë që ky rast të trajtohet. Projekti për Spitalin e Ferizajt është paraqitur nga Komuna e Ferizajt në vitin 2016 dhe është pranuar për implementim nga Ministria e Shëndetësisë pavarësisht mangësive të shumta, pasi ishte projekt i padetajuar, që i ngjante më shumë një projekti ideor sesa një projekti zbatues. Me gjithë këto probleme zbatimi i projektit ka nisur në vitin 2018, gjatë qeverisjes së koalicionit PAN, pa u adresuar problemet serioze që kishte. Problemi tjetër me të cilin jemi përballur lidhet me dështimin e operatorit ekonomik “Arbëria Com” për t’i përmbushur detyrimet kontraktuale. Dhe duke pasur dyshime se ky operator mund të ketë mashtruar, Ministria e Shëndetësisë e ka ndërprerë kontratën me këtë operator në vitin 2021 dhe ka dorëzuar kallëzim penal. Që nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë veprim nga organet e drejtësisë lidhur me këtë rast”, ka shkruar Elshani në Facebook të premten në mbrëmje.

Tutje ai ka thënë se operatori i njëjtë ekonomik e ka paditur MSH-në në gusht të 2025-s për të njëjtën çështje dhe se për këtë çështje është intervistuar Vitia.

“Ndërkohë, në gusht të vitit 2025, i njëjti operator ekonomik ka ngritur padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për të njëjtën çështje, dhe brenda gjashtë muajsh organet e drejtësisë janë vënë në lëvizje, në kuadër të së cilës është intervistuar Ministri Vitia”, ka shtuar ai.

Elshani ka thënë se MSH-ja është e hapur për bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe se do të ofrojë informacionet e nevojshme për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Sot gjatë ditës, Vitia konfirmoi se u intervistua por nuk dha sqarime përse. Sqarime nuk dha as Prokuroria Speciale.

KOHA ka raportuar vazhdimisht për mosfinalizimin e objektit të ri të Spitalit të Ferizajt, edhe pse ka vite të tëra që ai i ka të përfunduara vetëm punimet e vrazhda.