Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Edhe 24 milionë euro për Spitalin e Ferizajt që nisi gati një dekadë më parë

Arben Vitia Spitali i Ferizajit

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt", ka shkruar ministri Vitia (Foto-ilustrim: KOHA)

Nga 11 milionë euro të planifikuara fillimisht, për finalizimin e objektit të Spitalit të Ferizajt janë paraparë edhe 24 milionë euro të tjera. Projekti i nisur më 2018 ka mbetur që atëherë vetëm me punime të vrazhda. E pas ndërprerjes së punimeve dhe kontesteve me operatorin ekonomik, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë të re, me të cilën është zotuar se projekti do të përfundojë brenda 30 muajsh

Për përfundimin e objektit të Spitalit të Ferizajt, të nisur 8 vjet më parë, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar edhe një kontratë, në vlerë të 24 milionë eurove.

Projekti që nisi më 2018, kur ministër i Shëndetësisë ishte Uran Ismaili, parashihej të përfundonte brenda tre vjetësh dhe me kosto 11 milionë euro. Por pas pothuajse një dekade, në të janë kryer vetëm punimet e vrazhda.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo pasi, në kohën kur spitali duhej të përfundonte, kontraktori e la objektin të papërfunduar, duke kërkuar rishqyrtim të projektit dhe miliona euro shtesë.

Sipas kontratës së re, nënshkrimin e së cilës e shpërndau ministri aktual, Arben Vitia, punimet në objekt pritet të finalizohen brenda 30 muajsh.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon, që do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, me një kosto prej 24 milionë eurosh”, ka thënë Vitia.

Më 2021, KOHA pati raportuar se Ministria bëri kallëzim penal ndaj kompanisë që i la punimet në gjysmë, me pretendimin se ka kryer “mashtrim në prokurimin publik”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kompania i ka marrë paratë nga pozicionet me çmime të fryra, ndërsa kur është dashur t’i kryejë punët që ishin nën çmimin e tregut, ka kërkuar rishikim të projektit dhe 5 milionë euro shtesë. Kjo nuk u pati pranuar nga Ministria dhe objekti që atëherë ka mbetur vetëm me punime të vrazhda.

E në janarin e sivjetmë, ministri Vitia u intervistua nga Prokuroria Speciale rreth padisë që iu bë Ministrisë nga operatori ekonomik i kontraktuar më 2018. 

Pasi punimet mbetën në gjysmë, në mars të 2024-s Ministria e Shëndetësisë e kontraktoi kompaninë “Vizion Project”, në vlerë të gati 67 mijë eurove, për ta bërë riprojektimin e spitalit.

Deri më tani, tenderi i ri për vazhdimin e projektit për ndërtimin e objektit, i hapur në prill të 2025-tës, është ankimuar disa herë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës, për përfundimin e këtij spitali Ministria ka përzgjedhur grupin e operatorëve ekonomikë: “ADA Consulting Group SH.P.K.”, “SHM Architecture SH.P.K.” dhe “Termo Consing SH.P.K”.