Arbëri

Edhe 21 milionë euro për Emergjencën e nisur prej një dekade

Pothuajse një dekadë që nga nisja e ndërtimit, në objektin e Emergjencës në QKUK deri më tani janë kryer veç punimet e vrazhda. Për finalizimin e projekt, Ministria e Shëndetësisë tani e ka hapur edhe një tender. E për të ka planifikuar gati 21 milionë euro, kosto shumë më e lartë sesa ajo fillestare

Ministria e Shëndetësisë ka hapur edhe një tender për ta vazhduar ndërtimin e objektit të Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare, projekt ky që u pati nisur më 2016 dhe që qysh prej 2019-tës në të janë kryer veç punimet e vrazhda.

Për objektin, që fillimisht parashihej të përfundonte brenda tre vjetësh dhe me kosto prej 8 milionë eurosh, tash, bazuar në dosjen e tenderit të ri, do ta ketë vlerën totale për projekt, pothuajse 21 milionë euro. 

Sipas dokumentacionit të tenderit, zbatimi i projektit parashikohet të zgjasë dy vjet e gjysmë, teksa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 3 nëntori.

“Punimet në objektin kryesor, aneks dhe blloqe teknike duhet të zhvillohen paralelisht, në mënyrë që të mos kemi vonesa të panevojshme. Afati kohor i planifikuar i përfundimit të tërësishëm të punimeve, përfshirë pranimin e përkohshëm të punimeve dhe pranim-dorëzimin e objektit, duhet të jetë jo më shumë se 30 muaj kalendarik”, thuhet në dosjen e tenderit.

Më 2 prill të 2024-tës, Ministria e Shëndetësisë për vazhdimin e projektit e pati zgjedhur një kompani, me ofertë në vlerë gati 20 milionë euro.

Ky proces, fillimisht u pezullua shkaku i disa kërkesave për rishqyrtim e më pas u anulua, me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Çështja e objektit të Emergjencës dhe ajo e Spitalit të Ferizajt, e cila ka një histori të ngjashme zvarritjeje, është diskutuar gjatë javës në mbledhjen e bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar.

Ndërtimi i objektit të Spitalit të Ferizajt nisi më 2018, e parashihej të përfundonte më 2021.

Në vitin 2021, KOHA pati raportuar sesi kompania që e fitoi tenderin për ndërtim e këtij spitali është denoncuar në Prokurori Speciale nga Ministria e Shëndetësisë, nën dyshimin se i ka kryer veç punimet e vrazhda dhe ka kërkuar rishqyrtim të projektit e miliona euro shtesë.

Për gjendjen e të dy objekteve, pyetje gjatë mbledhjes, anëtarja e bordit Vjollca Kadolli, i shtroi drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Elvir Azizi. E ai iu përgjigj, duke thënë se për investimet, të dhënat i ka Ministria e Shëndetësisë.

“Sa e di, informatat e fundit janë se është në proces të vlerësimit. Do të thotë, oferta për tenderim është në proces të vlerësimit... Objekti i Emergjencës ka dështuar komplet. Është në riinicim prej fillimit. Këtu ka qenë në proces të tenderimit përmbi një vit dhe në fund ka dështuar procesi. Tash është riinicuar. Kur kompletohet, na lehtëson edhe neve sa u përket hapësirave”, ka thënë Azizi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS lidhur me atë se pse për objektin e Emergjencës është rritur vlera e parashikuar e kontratës, krahasuar me tenderët e mëhershëm, dhe as në atë nëse për parregullsitë që e kanë përcjellë këtë projekt ka nisur ndonjë proces hetimor.