Arbëri

Vitia intervistohet nga Prokuroria Speciale

Arben Vitia

Foto: Alban Bujari

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale, por detaje të këtij intervistimi nuk ka dhënë.

Pas vizitës që sot i bënë Odës së Mjekëve të Kosovës bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Vitia tha se arsyet e intervistimit do të sqarohen nga Prokuroria Speciale dhe vetë ai.

“Do të sqarohet kjo edhe nga Prokuroria Speciale, edhe nga ana ime”, deklaroi Vitia.

Por as kjo Prokurori nuk ka dhënë detaje për çfarë rasti bëhet fjalë.

“z. Arben Vitia, me autorizim të Prokurorisë Speciale është intervistuar lidhur me një rast që kjo prokurori e ka në trajtim. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione. Ju falënderoj për bashkëpunimin”, ka thënë për KOHËN, Arbnorë Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale

Sa i përket aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi disa ligje për arsye administrative, e ku ishte i përfshirë edhe ligji për Sigurim të Detyrueshëm Shëndetësor, Vitia këtë vendim të kushtetueses e quajti të gabuar.

Ai tha se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës do ta procedojnë përsëri ligjin në fjalë.

“Unë mendoj që nuk ka pasur të bëjë me ligjin e sigurimeve shëndetësore perse, ka qenë një aktvendim që ka pasur të bëjë me anulimin po them kështu kushtimisht të disa ligjeve për shkaqe administrative siç thonë ata. Mendoj që ka qenë e gabuar natyrisht prej këndvështrimit tim, në kuptimin se nuk kanë pasur vërejtje në ligjin për sigurime shëndetësore si i tillë qysh e kemi prezantuar ne, i domosdoshëm për t’u implementuar Fondi i Sigurimeve Shëndetësore... por tash menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës do të procedojmë me hapat njësoj duke dërguar sa më shpejt në Kuvendin e Republikës për të proceduar sa më shpejt me këtë ligj që i hap rrugën edhe ligjore, pastaj edhe teknike logjistike, formimit të Sistemit Informativ Shëndetësor fillimisht e pastaj edhe Fondit për Sigurime Shëndetësore”, ka thënë ai.